Arbëri

Duda Balje jep dorëheqje nga DSB-ja, angazhimin si deputete e vazhdon në kuadër të 6+

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, nga komuniteti boshnjak, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Partia Demokratike e Boshnjakëve (DSB).

Vendimi, siç ka shkruar Balje, është rrjedhojë e periudhës së gjatë të prishjes së harmonisë në parti, ndërsa kulmi, thotë ajo, ka qenë “agresioni i shprehur edhe në fushatën e fundit parazgjedhore”.

“Vendimi im është reagim personal, por edhe moral sepse nuk dua assesi të jem legjitimuese e aktiviteteve që lidhen me vetë punën e DSB-së, por edhe i veprimeve politike dhe të interesit, që dalin nga një rreth i ngushtë i një grupi njerëzish, kryesisht për qëllime e ambicie personale, duke marrë pak parasysh komunitetin dhe pasojat për të”, ka thënë ndër të tjera Balje, raporton Koha.net.

Ajo thotë se arsye për dorëheqje janë edhe “ofendimet e ulëta në drejtim të origjinës sime, për shkak të mosrespektit, shpërndarjes së të pavërtetave për punën time”, si dhe thotë ta kenë cilësuar brenda partisë së saj si “armike e partisë” dhe “rrezik për partinë”. Këto, thotë ajo, t’i ketë pranuar si “goditje morale ndaj punës sime për partinë dhe për komunitetin boshnjak”.

Balje thotë se në parti ka edhe mungesë transparence nga anëtarë të vjetër të partisë për sa i përket marrjes së vendimeve dhe shpenzimeve të financave.

“Sa i përket angazhimit tim të mëtejmë, do të veprojë në legjislaturën e re të Parlamentit të Republikës së Kosovës i përfaqësuese e boshnjakëve përmes grupit parlamentar ‘6+’ (në të cilën jam që nga fillimi i angazhimit tim politik) përmes së cilës do të luftojë edhe më tutje për interesat e boshnjakëve”, theksoi ish-deputetja Duda Balje.

Sa i përket funksionit në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, Balje thotë se pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive LDK dhe VV, “kemi marrë qëndrimin përfundimtar që ka të bëjë me emërimin e një ministri nga pakicat kombëtare, dhe këtë post ministror do ta fitojë ai kandidat që sjellë gjashtë nënshkrime mbështetëse nga gjithsejtë 10 deputetë nga pakicat”.

“Mbështetjen, rrjedhimisht nënshkrimin, nuk ia kam dhënë deri tani askujt. Aktivitetet rreth postit ministror do të aktivizohen nga e hëna e ardhshme dhe u uroj fat të gjithë të interesuarve”, deklaroi ish-deputetja nga radhët e boshnjakëve të Kosovës, Duda Balje.