Arbëri

IKD: Prokuroria vazhdon të ngritë aktakuza kundër personave të vdekur

Prokurorët po ngritin aktakuza ndaj personave pa kryer fare hetime.

Kjo ka bërë që të ketë edhe dhjetëra aktakuza edhe ndaj personave të vdekur, raporton KTV.

Ehat Miftaraj nga IKD-ja tha se vetëm dy vjetët e fundit ka pasur numër të madh të këtyre rasteve, ku personat që u ngriheshin aktakuza, kishin vdekur vite më parë.

Në bazë të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, për një numër të konsiderueshëm të aktakuzave, gjyqtarët kanë nxjerrë aktvendim për pushim të procedurës.

Kjo, sipas këtij instituti, po e dëmton edhe buxhetin e shtetit.

Këto aktakuza kryesisht lidhen me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

IKD-ja ka rekomanduar që prokurorët të sigurohen që të mos cenohet siguria juridike e qytetarëve dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.

Gjithashtu, ky institucion rekomandon prokurorët që t’i shmangen praktikës së krijuar për ngritje të aktakuzave, pa zhvillimin e hetimeve dhe pa marrjen në pyetje të pandehurit.