Arbëri

Nga 1 dhjetori, paga e presidentit, kryeministrit e shumë të tjerëve do të ulen

Ligji për pagat në sektorin publik do të rrisë buxhetin për paga me rreth 120 milionë euro. Ndërsa, dallimi mes pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale është mjaft i lartë.

Ligji i pagave i cili nis së zbatuari nga 1 dhjetori i këtij viti pritet të rregullojë pagesën për punonjësit që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, ndërsa, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, derisa kryeparlamentari, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen me koeficientin 9.

Sipas koeficientit presidentit të Republikës, Hashim Thaçi do t’i zbritet paga aktuale nga 2,672 euro në 2,390 euro. Po ashtu, edhe kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj që ka pagën aktuale 2950 euro, me ligjin e ri, paga e kryeministrit do të jetë me koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj (799 euro më pak se paga aktuale).

Koeficient të njëjtë me kryeministrin do të ketë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Paga aktuale e kryetarit të Kuvendit është 2555 euro, ndërsa me ligjin e ri do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.

Për sa i përket pagës së një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro. Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i shtetit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, përcjell ksp.

Një gjyqtar në Gjykatën Themelore do të merr pagë me ligjin e ri, 1.314 euro. Po të njëjtën pagë do ta merr prokurori i Prokurorisë Themelore.

Profesori universitar do të ketë pagë 1,362 euro, mjeku specialist në mjekësi familjare 1,195 euro, koloneli në polici 1,195 euro, polic i lartë në polici 525 euro, mësimdhënës në shkollën e mesme të lartë 621 euro, mësimdhënës në shkollë të mesme të ulët 585 euro dhe nëpunës administrativ dhe mbështetës 430 euro.

Zvarritjet e mundshme për formimin e qeverisë së re në vend nuk do të kenë efekt në zbatimin e ligjit për paga.

Ky ligj i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në shkurt të këtij viti fillon së zbatuari nga dhjetori, ndonëse ka pasur edhe reagime, greva dhe protesta nga punonjës të disa ndërmarrjeve publike ndaj këtij ligji.

Këshilltari i ministrit në detyrë të Financave, Lulëzim Rafuna thotë për KosovaPress, se Ligji për paga automatikisht nis së zbatuari nga 1 dhjetori për arsye se është shpallur në gazetën zyrtare në muajin mars të këtij viti.

“Në muajin dhjetor të gjithë shërbyesit publik pagat do t’i marrin me rritje sipas ligjit të ri, për arsye se ashtu është paraparë. Ne në fillim të vitit e kemi paraparë shumën e mjaftueshme për kategorinë e pagave dhe mëditjeve që shkon në 622 milionë euro. Është shumë e cila e mbulon komplet edhe rritjen e muajit dhjetor. Çka do të thotë se ligji i pagave do të do të fillon të implementohet pa asnjë pengesë të vetme në muajin dhjetor”, deklaron Rafuna.

Ndërsa, sa i përket vitit të ardhshëm, Rafuna thekson se kjo rregullohet brenda buxhetit të vitit 2020, sipas të cilit, nuk mund të ketë ndonjë problem.

“Nuk ishte dashur me paraqit asnjë problem edhe në ligjin e ri të vitit 2020 për arsye se ka mjete të mjaftueshme për ta mbuluar këtë pjesë. Mirëpo duhet të sillen aktet nënligjore që është duke u përgatitur nga ana e Ministrisë së Administratës Publike”, thotë ai.

Berat Thaqi, analist politikash në Institutin GAP, thotë se gjasat janë që punonjësit t’i realizojnë mjetet e tyre në bazë të ligjit të ri për pagat. Në rast se nuk fillon të zbatohet ky ligj, ai thotë se punonjësit mund të ngrenë padi ndaj institucioneve.

“Patjetër obligimet ligjore janë diçka që duhet të zbatohen dhe në rast të kundërt, atëherë shteti i Kosovës, institucionet publike do të përballen me padi potenciale. Nëse dikujt me ligj ia është sigurua një pagë më e madhe, ai ose ajo nuk e marrin një pagë të tillë, atëherë në vend ekzistojnë gjykatat dhe këta shërbyes civil mund t’i realizojnë kërkesat e tyre në gjykata”, deklaron Thaqi.

Kurse, profesori universitar Muhamet Sadiku ka deklaruar se dallimi mes pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale është mjaft i lartë, ku sipas tij, 8-10 përqind e popullatës jeton në varfërinë e skajshme dhe rreth 20 përqind e njerëzve jetojnë në zonën e varfërisë që do të thotë se rreth 30 përqind e popullatës në Kosovë janë në zonën e rrezikshmërisë të varfërisë.

Ndryshe, ligji për pagat në sektorin publik ka një kosto vjetore rreth 120 milionë euro.

{gallery}