Arbëri

Thaçi mirëpret raportin e DASH-it: Kosova do ta luftojë pakompromis terrorizmin e ekstremizmin

Descriptive Text

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.

200 kosovarë vazhdojnë të mbesin në zonën e konfliktit në Siri, thotë raporti i fundit i Departamentit të Shtetit Amerikan.

Këtë raport e ka mirëpritur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ka thënë se radikalizmin, Kosova do ta luftojë pakompromis.

“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it. Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, shkruan Thaçi.

LEXO EDHE: Raporti i DASH-it për terrorizmin: Kosova bashkëpunoi ngushtë, por në disa ministri ka mungesë kapacitetesh

Kujtojmë dhe njëherë se në raport thuhet se 130 kosovarë janë kthyer në Kosovë, derisa 70 janë të vdekur.

Ky raport vlerëson pjesëmarrjen e Kosovës si anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Raporti, megjithatë, thotë se situata e sigurisë dhe situata politike në veri kanë kufizuar qeverinë për të ushtruar autoritetin e saj në pjesën veriore. Megjithatë, në Kosovë, në vitin 2018, nuk ka pasur ndonjë sulm terrorist. DASH-i amerikan thotë institucionet në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më shumë mes vete.