Arbëri

LDK-ja thotë se reduktimi i numrit të ministrive bëhet për të rritur efikasitetin

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë takimeve për të krijuar qeverinë e ardhshme, janë pajtuar që qeveria e ardhshme të ketë 12 ministri.

Kjo, sipas Avdullah Hotit të LDK-së, nuk ishte e lehtë të bëhet mirëpo, po bëhet jo vetëm për të ulur numrin e ministrive, por edhe për të rritur efikasitetin.

“Po e marr veç fushën e ekonomisë, përveç financave, janë edhe katër resorte tjerë që merren me politika ekonomike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ajo e Tregtisë, Inovacionit, Zhvillimit Rajonal, ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Të gjitha vijnë tek ministria e Ekonomisë”, ka thënë Hoti. “Jo veç të reduktohet numri i ministrive, por për të rritur efikasitetin e funksionimit të Qeverisë. Një person do të jetë përgjegjës për politikat ekonomike. Çfarë ka pasur mundësi të bënte ministri i Diasporës për të promovuar investimet strategjike ndërkohë politikat ekonomike ishin kompetencë të ministrit të Tregtisë. E rëndësishme është se në bazë të kalkulimeve që lexova, që kursimet do të jenë rreth 15 milionë euro për katër vjet vetëm nga reduktimi i ministrive, këshilltarëve, etj.”, ka deklaruar Hoti në Rubikon të KTV-së.

Hykmete Bajrami nga kjo parti shpjegoi se kanë dy grupe punuese, ata të përhershëm dhe ata në bazë të temave që diskutohen. Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala janë të përhershëm, që marrin pjesë në çdo takim, ndërsa, tha Bajrami, ajo kishte marrë pjesë të hënën meqë tema isha ekonomia. Sipas saj, takimet po shkojnë mirë. Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë lloj tensioni.