Arbëri

FMN kërkon nga partitë politike që mos të bëjnë premtime për rritje të pagave

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 11 qershor, përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka kërkuar maturi në zotime fiskale.

“Tani, është e rëndësishme që të sigurohen veprime të fuqishme të politikave, duke përfshirë disiplinë fiskale, meqë ato janë thelbësore për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave dhe për të trajtuar papunësinë e lartë në vend. Të gjitha zotimet fiskale dhe veprimet përkatëse duhet të jenë në përputhje me rregullën fiskale dhe ligjin për pagat e sektorit publik”, thuhet në deklaratën për media të Vermeulen, shkruan KP.

Ndërsa, lidhur me statusin e programit të mbështetur nga Fondi, duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për muajin e ardhshëm, Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me qeverinë e re pas zgjedhjeve.

“Gjatë dy viteve të kaluara, objektivat e përgjithshme të programit kanë qenë përmirësimi i situatës fiskale, ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të FMN-së në Kosovë.