Arbëri

Buxheti për trajtim jashtë vendit tejkalohet për 4.5 milionë euro

Për 4. 5 milionë euro Ministria e Shëndetësisë e ka tejkaluar buxhetin vjetor për trajtimin e pacientëve jashtë vendit këtë vit. Buxheti vjetor i MSh-së për trajtimin e pacientëve jashtë vendit është 6 milionë euro, ndërsa vetëm për periudhën janar-shtator ky institucion ka shpenzuar rreth 10. 5 milionë euro. Sipas të dhënave nga MSh-ja, gjatë nëntë muajve të këtij viti 1 mijë e 63 pacientë kanë aplikuar në këtë institucion për të marrë trajtim jashtë vendit. Prej tyre 492 raste kanë marrë trajtim, kurse 571 raste janë në pritje për trajtim. Rastet më të shpeshta të cilat kërkojnë trajtime jashtë vendit janë nga klinikat e Pediatrisë, Ortopedisë dhe Oftalmologjisë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, mungesa e sigurimeve shëndetësore në Kosovë po u jep mundësi shteteve të rajonit që të bëjnë oferta për operacione, të cilat nuk kryhen në institucionet shëndetësore në Kosovë. Ai është shprehur skeptik sa i përket çështjes që brenda këtij viti do të funksionalizohet SISH-i.

“Unë nuk mendoj që SISH-i do të funksionalizohet brenda këtij viti. Ne duhet t’i krijojmë kushtet adekuate në institucionet shëndetësore në vend. Kur ne t’i krijojmë këto kushte, atëherë mund të themi se mund të fillojmë me SISH-in, çdo gjë tjetër që thuhet për këtë çështje është mashtrim”, ka deklaruar Syla.

Sipas Besim Kodrës nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), mungesa e shërbimeve në institucionet publike ka bërë që pacientët të kenë nevojë për shërbime jashtë vendit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)