Arbëri

Kërkohet përgjegjësi për gabimet në formularët e KQZ-së që çuan në rinumërim

Mungesa e rubrikës për vendosjen e rezultateve të Partisë Liberale Egjiptiane, është një nga arsyet e rinumërimit të më shumë se 800 vendvotimeve.

Nga 844 kuti, në 453 prej tyre Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka hasur në gabime të tilla, raporton KTV.

Mungesa e kësaj rubrike ishte bërë qysh para zgjedhjeve nga KQZ-ja, respektivisht nga sekretariati i KQZ-së, i cili është përgjegjës për shtypjen e formularëve dhe të cilët i ka dërguar për shtyp me këtë gabim.

I pyetur për këtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se pas përfundimit të procesit zgjedhor, do të trajtohet edhe kjo çështje, duke mos dhënë detaje, nëse do të ndërmerren masa.

Në anën tjetër, nga Demokracia Plus, thonë se gabimet e tilla kanë ndikuar në besimin e qytetarëve tek i gjithë procesi zgjedhor.

Shtypja, paketimi dhe transporti i fletëvotimeve dhe broshurave për këto zgjedhje, Komisionit Qendror Zgjedhor i ka kushtuar rreth 194 mijë euro.

Derisa, fitues i kontratës ishte shpallur Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Cetis” dhe “CETKOS” nga Sllovenia.