Arbëri

FSK-ja lidh bashkëpunim me Universitetin e Norwichit në SHBA për shkollimin e kadetëve

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, më datë 17 tetor 2019, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në SHBA, vizitoi Universitetin e Norwichit në Vermont.

Gjeneral Rama në emër të Ministrisë së Mbrojtjes ka nënshkruar Marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin e Norwich-it për të bashkëpunuar në fushën e edukimit, hulumtimit shkencor në fushën ushtarake, si dhe garave në mes të kadetëve të këtyre institucioneve.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Rama e falënderoi presidentin e këtij institucioni Richard Schneider për besimin dhe mundësinë e dhënë duke theksuar se ky bashkëpunim do të kontribuojë në avancimin e njohurive dhe përvojave të kadetëve të të dyja institucioneve.

Delegacioni i FSK-së pati rastin të vizitojë Qendrën Trajnuese për Mbrojtje Kibernetike, ku nga stafi i kësaj qendre u njoftua për funksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit të saj mësimor.

Me një traditë 200-vjeçare, Universiteti e Norwichit, i cili njihet edhe si Kolegji Ushtarak i Vermontit, konsiderohet të jetë institucioni ushtarak më i vjetër në SHBA. Me një staf mjaft profesional dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme, qëllimi i këtij kolegji është që të edukojë dhe të trajnojë kadetët e rijnë për të qenë liderë të ushtrisë amerikane.

Realizimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi pritet të fillojë në vitin 2020.