Arbëri

Kurti për “The Guardian”: BE-ja po frikësohet nga fashizmi

Foto: AP

Politikani i majtë që pritet të bëhet kryeministri i ri befasues i Kosovës ka dënuar vendimin e BE-së që të bllokojë zgjerimin e mëtejmë të Ballkanit, duke thënë se kjo tregon që liderët Perëndimorë kanë harruar mësimet e mësuara nga dy luftërat botërore dhe në vend të kësaj u tërhoqën përball fashizmit dhe populizmit.

Albin Kurti, në një bisedë për “The Guardian”, tha se ky qëndrim mund të dëmtojë shanset e Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë, e cila ka refuzuar ta njohë atë të pavarur që nga lufta e viteve 1998-99.

Franca shkaktoi drojë në rajon në samitin e BE-së javën e kaluar duke bllokuar Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në hapjen e negociatave për anëtarësim, dhe kështu ka shkatërruar shanset e Serbisë për të arritur BE-në në një të ardhme të afërt. Presidenti francez Emmanuel Macron insistoi se Evropa duhet të përqendrohet në reformat e veta.

“BE-ja u formua si përgjigje ndaj fashizmit, por tani po tregohet e frikësuar përball populistëve dhe fashizmit”, tha Kurti për “the Guardian”, transmeton Koha.net.

Duke kritikuar Macronin, ai tha: “Nuk mund të thoni se së pari na duhen reforma të brendshme në BE e më pas zgjerimi i jashtëm – ato shkojnë njëra përkrah tjetrës. Evropa është një projekt shumë i rëndësishëm historik që nuk mund të ketë një autor, drejtues apo lider të vetëm. E kemi parë vazhdimisht këtë se kur [presidenti në largim i Komisionit të BE-së] Jean-Claude Juncker tha se nuk do të ketë zgjerim të mëtejmë në pesë vjetët e fundit, situata në Ballkan përkeqësohej”.

“Po, BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë këtë mirë, dhe është vërtetë trishtuese, për të gjithë ne, se ata po e harrojnë këtë. Në rreth dy dekada, historianët do të shkruajnë se nuk kanë qenë dy luftëra botërore, por vetëm një me dy episode, dhe e gjitha nisi në Sarajevë”.