Arbëri

Shpallen të pafajshëm ish-menaxherët e Telekomit

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, gjatë leximit të arsyetimit të trupit gjykues në lidhje me këtë rast, ka thënë se në asnjë rast nuk janë mundur të argumentohen pretendimet e Prokurorisë Speciale për korrupsion kundër ish-shefave të Telekomit, Agron Mustafa e Ejup Qerimi dhe ish-kryesuesit të Bordit të këtij institucionit, Rexhë Gjonbalaj, raporton Koha Ditore.

Në një arsyetim të gjatë të lexuar para publikut e të akuzuarve por që nuk ishte i pranishëm prokurori që e ka ngritur aktakuzën, Shala ka thënë se në asnjë rrethanë prokuroria nuk ka dëshmuar që këta ish-zyrtarë e kanë dëmtuar buxhetin.

Krejt kundër organit të akuzës, gjykata ka konstatuar se veprimet e këtyre ish-zyrtarëve kanë qenë në përputhje me obligimet e tyre ligjore.

Kryetari i trupit gjykues në arsyetim e ka përmendur edhe faktin që “lidhja e kontratës se dëmshme” ishte gjykuar para disa viteve dhe se për këtë kontratë ishin akuzuar pesë persona duke ju referuar procesit gjyqësor kundër Blerim e Shkëlqim Devollit, Ismet Bojkut, Shyqri Haxhës dhe Rexhë Gjonbalajt të cilët para 6 viteve ishin shpallur të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, vitin e kaluar e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Sipas aktvendimit, hedhja e aktakuzës ishte bëre duke u bazuar në atë që sipas gjykatës nuk ishte argumentuar që të akuzuarit kishin kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Megjithatë, pas ankimimit, Gjykata e Apelit pati aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhej të gjykohet.

Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt. Sipas aktakuzës këta ish-zyrtarë kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza thotë se nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në postin e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit. Kjo gjë, sipas aktakuzës, ka shkaktuar vonesa në liferimin e Sim-kartelave.

Po ashtu pretendim i aktakuzës ishte që kjo gjë ka bërë që të mos kishte furnizime në bllokun e numeracionit si dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Prokuroria, në aktakuzë pretendon se përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës që në këtë rast është ‘Devolli’, për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit, Mustafa nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me këtë.