Arbëri

“Ekzaminimet e zarfeve nga Serbia po bëhen bashkë me ekspertë ndërkombëtarë”

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur nga Serbia në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

Thaçi kërkoi nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë Thaçi, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës.

Ai u shpreh se është inkurajuese që të gjitha institucionet përgjegjëse i kanë marrë masat e duhura.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve.

Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

Presidenti Thaçi ftoi për përmbajtje deri në përfundim të hetimeve.

“Ftoj për përmbajtje nga deklarimet politike dhe nga raportimet e pakonfirmuara deri në përfundimin e hetimeve”, u shpreh Thaçi.