Arbëri

BE-ja kërkon që çështja e noterëve t’i lihet qeverisë së re

Descriptive Text

Zyra e BE-së në Kosovë ka reaguar në lidhje me procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të rinj të Kosovës.

Kjo Zyrë kërkon që qeveria në largim të mos marrë vendim në këtë proces dhe thotë se i njëjti vendim duhet t’i lihet qeverisë së re.

“U bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës të përmbahen nga emërimi i çdo noteri sepse ne besojmë fuqishëm që vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, ka përfunduar Zyra e BE-së në Kosovë, raporton Koha.net.

Zyra e BE-së thotë se mbështet palëkundshëm Profesionet e Lira Ligjore në Kosovë dhe në këtë drejtim thotë se ka mbështetur autoritetet lokale dhe këto profesione drejtpërdrejt për t'i forcuar ato për kah numri dhe statusi i tyre.

Kjo, sipas reagimit të BE-së, përfshin edhe noterët të cilët thotë se janë garantues i kontratave të ligjshme dhe legale dhe parandalojnë mashtrimet me dokumentacione.

“Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt dhe të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm. Për rrjedhojë, ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim për parregullsi, qofshin ato pretendime të vërteta apo të perceptuara”, ka theksuar Zyra e BE-së në reagimin e saj.

Ditë më parë, procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë, përveç reagimeve në Kosovë, ka nxitur edhe reagimin e përbashkët të Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Odës Federale Gjermane të Noterisë.

Ideja e ministrit në detyrë, Abelard Tahiri që Kosovës t’i shtohen rreth 130 noterë të rinj nuk ka gjetur përkrahje nga këto dy organizata, ka shkruar ditë më parë “Koha Ditore”.

Sipas tyre, rritja e shpejtë e numrit të noterëve dhe kriteret jo strikte mund ta dëmtojnë fushën e noterisë e në mënyrë të tërthortë edhe qytetarët dhe vendin.

Rreth një muaj me parë Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe Oda Federale Gjermane e Noterisë i kanë drejtuar një letër të përbashkët ministrit në detyrë, Abelard Tahiri nga i cili kanë kërkuar që të mos emërojë noterë aq sa kishte planifikuar Ministria e Drejtësisë.

Një nga çështjet kryesore që kanë kërkuar të këtë kujdes Ministria e Drejtësisë është limitimi i numrit të përzgjedhurve për noterë.