Arbëri

“Injorimi i Kosovës në Mini-Shengen është bërë qëllimshëm dhe me presionin e Serbisë”

Mospjesëmarrja e Kosovës në përgatitjen e iniciativës për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, po vlerësohet si e dëmshme për bashkëpunimin rajonal.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, u takuan të enjten në Novi Sad, për përgatitjen e një dokumenti të përbashkët që po quhet si “Mini Schengen Ballkanik”, raporton KTV.

Presidenti serb, Vuçiq, ka treguar se synimi është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo, sipas tij, pritet të arrihet deri në vitin 2021.

Injorimi i Kosovës në këtë proces, sipas shoqërisë civile, është bërë qëllimshëm dhe me presionin e Serbisë.

Në deklaratën e përbashkët të Vuçiqit, Ramës e Zaevit, ndër të tjerash, thuhet se njerëzit do të mund të punonin kudo në rajon dhe se diplomat do të njiheshin në tërë vendet e Ballkanit.

“Njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në të gjithë rajonin. Ne do ta shtojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe zotohemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla, si katastrofat natyrore”, thuhet në dekalratë.

Përjashtimi i Kosovës nga vendimmarrja në këtë iniciativë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, e dëmton tërë procesin.

Për këtë odë, është problematike se si Serbia mundohet ta promovojë lëvizjen e lirë në rajon, kur është pikërisht ajo që i krijon pengesa Kosovës për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Rukiqi vlerëson se kjo është ide e përbërjes së re të Komisionit Evropian, për ta shtyrë procesin e zgjerimit e BE-së.

Për këtë çështje, Kohavisioni ka dërguar pyetje në adresë të qeverisë në detyrë, por nuk ka marrë përgjigje. Më herët, institucionet ishin deklaruar kundër kësaj ideje, me arsyetimin se kjo nënkupton rikthim të ish-Jugosllavisë.

Për realizimin e kësaj iniciative, Vuçiqi, Rama e Zaev, do të takohen sërish në Ohër, më 10 nëntor.