Arbëri

Komisioni Evropian insiston se Shqipëria dhe Maqedonia meritojnë hapjen e negociatave

Descriptive Text

Në pritje të takimit të ministrave të vendeve anëtare në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të martën që vjen në Luksemburg, grupet e ndryshme punuese në Bruksel janë duke bërë përpjekje që të arrijnë kompromisin mes shteteve anëtare. Dhe kjo po duket të jetë detyrë shumë e rëndë, pasi vendet e rëndësishme, si Franca dhe Holanda, vazhdojnë të jenë kundër.

Holanda nuk do të kishte asgjë kundër që vendimi pozitiv të jetë për Maqedoninë e Veriut, por jo edhe për Shqipërinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkaq, Franca do që të shtyhet i tërë procesi dhe që vendimi eventualisht të miratohet diku në pranverë të vitit që vjen, duke e ngadalësuar edhe më shumë procesin, i cili edhe ashtu është shumë i ngadalshëm. Kështu edhe një herë po dëshmohet se mbështetja e Komisionit Evropian në procesin e zgjerimit, ku vendimet merren njëzëshëm nga të gjitha shtetet anëtare, nuk mjafton.

Edhe të enjten, Komisioni Evropian ka përsëritur se mbetet i prerë në qëndrimin e qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria javën që vjen duhet të marrin dritën e gjelbër për hapjen e negociatave, sepse që të dyja këto shtete i kanë përmbushur kriteret e kërkuara dhe të caktuara nga Këshilli, pra me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)