Arbëri

PDK, LDK e AAK synojnë reforma në ekonomi e gjyqësor në mandatin e ardhshëm

Rexhep Hoti nga PDK-ja, Arben Gashi nga LDK-ja dhe Pal Lekaj nga AAK-ja kanë premtuar reforma në ekonomi dhe gjyqësor nëse fitojnë zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Hoti në Interaktiv të KTV-së ka thënë se partia e tij ka dëshmuar veten sa i përket zhvillimit ekonomik dhe tani vjen me ofertë serioze për zhvillim ekonomik.

“Nuk e them për fushatë, por zbritja e politikës te qytetarët është politikë që është ofruar nga PDK-ja. Kosova ka të holla mjaft, PDK ka projekte për investime. PDK mund të rrisë buxhetin e 50 milionëve në një sektor në gjysmëmiliardi. Partia Demokratike ka ofertë konkrete për shkollën, sigurime shëndetësore, agrar, miniera, energjetikë. Ka ofertë serioze në të gjitha shtrirjet e Kosovës”, ka thënë ai.

Arben Gashi nga LDK-ja ka thënë se LDK synon të forcojë sigurinë e brendshme të Kosovës dhe të zhvillojë politikën e jashtme. Ai ka folur edhe për vendimin e liderit të LDK-së Isa Mustafa që të mos kandidojë vet për kryeministër të Kosovës.

“Kryeministri Isa Mustafa ka marrë përgjegjësinë që personalisht të fusë LDK-në në koalicion të tillë, vjet më parë. Tani ai ka deklaruar se nuk do të jetë konkurrues për kryeministër. Siç duket ka kuptuar se ka gabuar që ka hyrë në koalicion të tillë dhe ka marrë gjithë përgjegjësinë vet. Tani po e siguria e brendshme, me procesin e aktivizimit të gjykatës ndërkombëtare. Strukturimi i sigurisë. Duke rritur edhe efikasitetin e prokurorisë dhe gjykatave. Elementi i dytë është politika e jashtme”, ka thënë Gashi duke përmendur forcimin e bashkëpunimit me BE-në dhe SHBA-në.

Në anën tjetër, Pal Lekaj nga AAK-ja ka premtuar reforma në sistemin gjyqësor duke thënë se nëse partia e tij merr qeverisjen do të largojë ndikimin politik nga gjyqësori.

“Në këtë vend duhet të funksionojë së pari ligji. Duhet të ketë reforma prej kreut e deri te gjykatat themelore. Nuk është i strukturuar mirë. Është i kapur politikisht dhe është ndikimi i politikës i pranishëm. Duke u bazuar në të hyra vetanake në buxhetin e Kosovës ofrojmë përkrahje për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla për zhvillim ekonomik. I dimë edhe problemet në arsim. Dimë problemet edhe te pensionistët. Kemi probleme edhe në energjetikë. Këto probleme nuk i kemi sjell ne. Mendoj se këta njerëz duhet të përgjigjen para qytetarëve”, ka deklaruar Lekaj.