Arbëri

Deda: Populli do t’i mbajë për fjale VV-në e LDK-në për premtimet e tyre

Ilir Deda, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë sjellë një gëzim tek ai për daljen masive.

Ai tha se populli i Kosovës ka treguar kulturë me të cilën i tha se, jo vetëm që e kemi tejkaluar Ballkanin, por tha se i jemi afruar Skandinavisë me standard.

“Populli i afroi dy parti të opozitës për të marrë përgjegjësi për shtetin. Njerëzit po e ndiejnë veten të lirë në shtetin e lirë, me një vetëbesim, e kanë parë forcën e tyre të votës. Ka pasur shumë ngjarje në këto zgjedhje, PDK-ja e ka pranuar humbjen dhe ka deklaruar se do të dalë në opozitë”, ka thënë Deda.

Tutje, ai tha se Shqipëria e ka vlerësuar procesin zgjedhor si shembullor.

“Shqipëria tha se na keni shpëtuar me fytyrë në lidhje me organizimin e zgjedhjeve. I kemi dhënë shembull rajonit, më kanë shkruar nga rajoni. Mendoj se në periudhën shumë të rëndë në të cilën kemi kaluar së fundmi, njerëzit janë pjekur. Besimi i njerëzve që me votë kanë me e çliru vendin e tyre, më jep rehati për të ardhmen e vendit tonë. Nuk do të kemi më pushtete arrogante. Arroganca nuk do të ketë përkrahje në popull. Njerëzit i zgjodhën dy parti. I kanë dhënë një epërsi të vogël Albinit që të udhëheqë një qeveri reformatore bashkë me Vjosën. LDK është partia më e vjetër në Kosovë. Sot e kemi gjeneratën e re me Albinin e Vjosën, të cilët do ta krijojnë qeverinë e ardhshme, dhe kemi hipotekë të së kaluarës...”, tha ai.

Ai tha se ka një hatërmbetje për ndërkombëtarët që nuk e vlerësuan maksimalisht procesin zgjedhor, dhe thotë se është dashur të thonë se ishin shembull për rajonin.

Procesin zgjedhor të 6 tetorit e ka quajtur vlerë të cilën tha se duhet ta kultivojmë, ndërsa shtoi se elektorati do t’i mbajë për fjale partitë fituese për premtimet e dhëna.

Deda pati një apel për dy bartësit e listave, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.

“Ua kam dëgjuar programet. Shumica kanë qenë real. Por një gjë që do të doja që ata ta kenë parasysh, është emergjenca e situatës socio-ekonomike në vendin tonë. Neve na duhen masat në 100 ditëshin e parë. Na duhet ta shohim kahen e qeverisë në 100 ditët e para dhe fillimin e reformave. Të mos harrojmë se duhet patjetër të investojmë në ekonomi. Njerëzit tanë po presin thirrjet në ambasada për të marrë viza pune për të dalë jashtë”, ka thënë Deda.