Hoti, Gashi e Lekaj japin opinionet e tyre rreth mocionit të mosbesimit

Hoti, Gashi e Lekaj japin opinionet e tyre rreth mocionit të mosbesimit

15 maj 2017 23:42

Në emisionin Interaktiv të KTV-së vazhdojnë debatet para-elektorale.

Këtë mbrëmje, të ftuar Rexhep Hoti nga PDK-ja, Arben Gashi nga LDK-ja dhe Pal Lekaj nga AAK-ja, folën për prishjen e koalicionit qeverisës dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, për mundësitë e koalicioneve të ardhshme dhe për tema tjera.

Hoti tha se është dakorduar që të shkohet në zgjedhje, por kanë qenë në pyetje një periudhë 2 mujore.

“Njëra palë ka kërkuar shtatorin e tjetra këtë periudhën tani”, shtoi Hoti.

Arben Gashi nga LDK tha se përderisa mocioni i opozitës pati sukses, konkluzioni është se u rrëzua qeveria.

“Shkaktar kryesor për rrëzimin e qeverisë ka qenë afrimi i hyrjes në veprim të gjykatës speciale e cila do të shkaktojë probleme në skenën politike kosovare, e sidomos në ish partnerin e koalicionit të LDK-së. PDK ka menduar që do të ishte zgjidhje më e mirë të shkojë tash në zgjedhje sesa në vjeshtë apo në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale”, ka thënë Gashi.

Gashi tha se argumenti se nuk po kalon demarkacioni dhe për këtë do të shkojmë në zgjedhje, “është i paqëndrueshëm”.

Pal Lekaj nga AAK foli për mocionin për rrëzimin e qeverisë, duke i ripërsëritur kërkesat e atij mocioni.

“Duke u bazuar në përgjumjen e koalicionit PDK-LDK, i kemi vënë në dijeni qytetarët se ky koalicion nuk është në të mirë të Kosovës, por është koalicion arrogant”, u shpreh Lekaj.

Ai tha se metodat e përdorura nga opozita, siç është gazi lotsjellës në sallën e Kuvendit, për të kundërshtuar demarkacionin e Asociacionin, kanë qenë të domosdoshme.

Lekaj tha se për mocionin e mosbesimit kanë biseduar me deputetët individualisht, por jo me parti të caktuara, sidomos me të koalicionit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme