Arbëri

OJQ-të i kërkojnë ministrit në largim Tahirit të mos emërojë asnjë noter

Foto: Koha

Ne, organizatat e shoqërisë civile të listuara më poshtë, reagojmë përsëri në lidhje me procesin jashtëzakonisht të dyshimtë të përzgjedhjes së noterëve të udhëhequr nga ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Kështu kanë kërkuar ato përmes një reagimi, që sot ua shpërndanë mediave me rrugë elektronike.

Procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinjë është zhvilluar edhe gjatë kohës kur qeveria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë. Përzgjedhja është bërë duke mos respektuar standardet minimale të transparencës për të bindur publikun dhe opinionin e gjerë së ky proces është i drejtë, i paanshëm, i pavarur dhe i bazuar në meritokraci të kandidatëve.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka rezultuar në një listë të përbërë nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës është vetë ministri në largim Tahiri, si dhe të partive tjera politike nga i gjithë spektri politik. Lista po ashtu përmban persona të ndërlidhur ngushtë me disa nga anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit për Noterinë, duke nxitur edhe më shumë dyshime rreth konfliktit të interesit në mes të anëtarëve të komisionit dhe kandidatëve për noterë dhe mundësisë së rrjedhjes së informatave për të favorizuar disa kandidatë.

Ne, po ashtu i besojmë raportimeve në media që disa nga kandidatët nuk i kanë plotësuar as kushtet formale për t’iu nënshtruar provimit të noterisë. Zgjedhja e noterëve pa meritë rrezikon jo vetëm sistemin administrativ dhe gjyqësor në Kosovë por edhe atë të vendeve të Bashkimit Europian, në të cilat vende diaspora jonë përdorë dokumentet e noterizuara në Kosovë.

Është me rëndësi të theksohet se në këtë proces pritet që noterë të zgjedhen edhe nga ana e komuniteteve pakicë në Kosovë. Mirëpo, duke i zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, ministri në largim i drejtësisë do t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm komuniteteve, të cilave zakonisht iu alokohet numër më i vogël i noterëve.

fund, ministri në largim Tahiri nuk ka legjitimitet që të marrë vendim kaq të rëndësishëm me pasoja afatgjate në ditët e fundit të mandatit të tij.

Për arsyet e lartëpërmendura kërkojmë që:

Ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë;

Ministri i ri i drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve;

Policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinjë;

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, shtetet e Quintit dhe komuniteti ndërkombëtar të reagojnë dhe të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së noterëve për shkak të pasojave në vetë shtetet e tyre.

Legjislacioni aktual për noterinë thotë se shërbimi i noterisë është shërbim publik dhe noterët duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm në ushtrimin e shërbimit të noterisë. Noterët e përzgjedhur në këtë procedurë do të njihen si ‘noterët e PDK-së’ dhe asnjëherë nuk do të gëzojnë statusin e të qenit të pavarur dhe të paanshëm.

COHU!

Columbus

Demokraci për Zhvillim (D4D)

Demokracia Plus (D+)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Iniciativa për Progres (INPO)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti EPIK

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Lëvizja FOL