Arbëri

Cilat ishin arsyet e medieve serbe për mos emetim të dokumentarit “Gjenerali Dikoviq dhe Brigada e 37 në Kosovë”

Mediet serbe nuk kanë pranuar të transmetojnë dokumentarin "Gjenerali Dikoviq dhe Brigada e 37 në Kosovë", prodhim i Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Autori i dokumentarit, njëherësh përfaqësues i Fondit, Nemanja Stjepanoviq në Rubikon të KTV-së theksoi se këto tema po lihen anash.

Madje për rolin e Ushtrisë së Serbisë e policisë në Kosovë në vitin ’98 e ’99, Stjepanoviq thotë nuk flitet fare.

Dokumentari i transmetuar ekskluzivisht në emisionin Rubikon të KTV-së flet mbi cilat tregojnë krimet e kryera nga Ushtria e Jugosllavisë, në krye të së cilës ishte Lubisha Dikoviq, i cili edhe sot është shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Stjepanoviq thotë se ndonëse e dërguan kërkesën për transmetim, nuk morrin përgjigje.

“RTS-ja nuk u përgjigj asnjëherë lidhur me kërkesën tonë për transmetim, e RT Vojvodina na drejtoi që të konkurrojmë në njëfarë konkursi që më shumë i referohej njëfarë gare për emisione të tipit argëtues dhe e kishim shumë të qartë se kjo u bë që në njëfarë mënyre të kulturuar të na refuzojnë. Edhe disa televizioneve me frekuenca kombëtare ua dërguam kërkesën dhe ose nuk kishte përgjigje ose përgjigjet ishin të atilla që e kishim të qartë që s’do të ketë asgjë nga transmetimi. Merrnim një përgjigje e më pas nuk merrnim kurrfarë përgjigje”, ka thënë ai.

“Thjesht askush, nën një: nuk e merr guximin që të flasë për këto tema në mënyrë të sinqertë, në mënyrë që këto gjëra mbulohen me fakte sepse të gjithë ata, siç po shihet në këtë film, dhe në dosjet të cilat ne i publikuam, deri tash janë 8 dhe në bazë të 2 prej atyre 8 dosjeve, ky film u bë, e për ato tema askush s’e merr guximin të flasë në mënyrë të sinqertë. Sepse këtu s’bëhet fjalë të themi vetëm për Dikoviqin ose për një ose dy krime, sepse në atë rast do të duhej të fillonim të zgjidhim lëmshin dhe të flasim për gjithçka që ndodhi në të shkuarën në territorin e ish-Jugosllavisë, gjatë luftërave, përfshirë edhe Kosovën dhe për rolin e Serbisë në to”, shtoi tutje Stjepanoviq.