Diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës Foto: Arkivë

Diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës

15 maj 2017 15:34

Të paktën pesë vende në Kuvend duhet të garantohen për përfaqësuesit e diasporës ndërkohë që ata duhet të përfaqësohen edhe në institucionet e vendit, thonë përfaqësues të bizneseve, njohës të fushës dhe ekspertë të çështjeve juridike në Kosovë.

Përfaqësimi i diasporës në institucionet e vendit, është vlerësuar i domosdoshëm marrë parasysh kontributin e tyre jo vetëm në periudhën e çlirimit të vendit, por edhe pas saj, përmes remitencave dhe ndihmës në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës vlerësohet të jetojnë në vende të ndryshme të botës, por numri thuhet të jetë edhe më i madh.

Regjistrimi i diasporës i filluar vite më parë ende nuk ka përfunduar, por deri në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Diasporës kishte arritur të regjistrojë mbi 400 mijë qytetarë.

Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për Investime të Diasporës në Ministrinë e Diasporës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke u bazuar në numrin e madh të diasporës së Kosovës, përfaqësimi i tyre në institucionet e Kosovës do t’i sillte një kontribut të madh vendit.

Ai thotë se nga takimet që ka zhvilluar me diasporën e Kosovës në vende të ndryshme të botës interesimi i tyre për të qenë pjesë e ndryshimeve dhe zhvillime në Kosovës është i madh.

“Duke u bazuar në numrin e madh të diasporës shqiptare që jetojnë në Evropë në SHBA e gjithandej botës dhe duke u bazuar në kontributin e tyre shumë-vjeçar në çështjen e Kosovës dhe në punën, përvojën, eksperiencën në të gjitha lëmitë si në biznes, shkencë, ..mendoj se nga prania dhe kultura në vendet ku ata kanë jetuar në një sistem demokratik, është më se e nevojshme prezantimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës”, thekson Dedushaj.

Më shumë se gjysmë miliardi euro vlerësohet të jenë dërgesat e emigrantëve kosovarë çdo vit dhe ato vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diaspora e Kosovës ka potencial të lartë për të bërë ndryshime të mëdha në Kosovë.

“Ka shumë njerëz nga diaspora në të gjitha fushat që kanë shënuar suksese të mëdha, po ashtu ka njerëz nga diaspora që në ekonominë e vogël dhe të mesme nëpër Evropë kanë suksese të jashtëzakonshme dhe janë një potencial i gatshëm për Kosovën. Kosova duhet të bëjë ndryshimet në drejtimin ligjor dhe t’i ftojë ata dhe ata të cilëtmund të jenë motor i zhvillimit të Kosovës”.

Por, përfshirja e diasporës në institucione dhe në veçanti në Kuvendin e Kosovës kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës.

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se është imperativ i kahershëm kohor përfaqësimi i diasporës të Kosovës në Kuvendin.

“Diaspora duhet të përfaqësohet domosdoshmërisht në Kuvend, por kjo mund të bëhet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës. Kushtetutën duhet ndryshuar sa më parë jo vetëm për këtë çështje, por kjo Kushtetutë ka nevojë për rishkrim sepse ka shumë çështje që tregojnë që kjo Kushtetutë nuk ka qenë në gjendje t’i përballojë kërkesave zhvillimore të kohës dhe t'u jap shtytje dhe ndihmesë proceseve”, thekson Baraliu.

Baraliu thotë se është kërkuar në vazhdimësi që diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me pesë deputet me nga pesë kontinente ku është e koncentruar diaspora e Kosovës.

Ndryshimet kushtetuese, shton Baraliu, janë një proces i gjatë dhe se këto duhet të nisin menjëherë, pas zgjedhjeve të parakohshme të cilat pritet të mbahen në qershor.

Ndryshe, vite më parë, Ministria e Diasporës kishte kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës.

Pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë kanë organizuar që prej para luftës degët e tyre në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë diasporën në organizimet e tyre politike. Prej pasluftës organizimet partiake në diasporë kanë filluar të zbehen dhe diaspora i është lënë më shumë organizimit të saj vetenak.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme