Arbëri

Ende s’ka ankesë në PZAP për fushatën e Kelmendit me punëtorët e tij, ky thotë se s’po u bën presion

Punëtorëve të rrjetit të dyqaneve ETC dhe ELKOS, nuk u rastis shpesh që ta takojnë shefin e tyre, ish-deputetin e LDK-së, Ramiz Kelmendi.

Megjithatë, takimet me punëtorët e tij, Ramiz Kelmendi, tani pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, i ka shpeshtuar kohëve të fundit gjatë fushatës zgjedhore, raporton KTV.

Kelmendi, nga punëtorët e tij, në çdo komunë, është duke kërkuar mbështetjen për kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Takimet e tilla, ai i konsideron bashkëbisedim, derisa thotë se punëtorët e tij kanë të drejtë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pa ndonjë detyrim apo obligim.

Megjithatë, ndër veprimet e ndaluara, në bazë të nenit 4 të Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, është edhe “premtimi i ndonjë shpërblimi financiar me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Mirëpo, sipas Mulë Deskut nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë lidhur me rastin në fjalë.

Në javën e parë të fushatës zyrtare zgjedhore, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka pranuar gjithsej 89 ankesa.

Deri më tani, partitë politike janë gjobitur mbi 118 mijë euro, për shkeljen e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.