Arbëri

Tri gra shqiptare synojnë të bëhen deputete në Parlamentin e ri austriak

Me përvojë dhjetëvjeçare në politikën austriake, Drita Cacaj synon të zërë një vend në Parlamentin e Austrisë. Cacaj, e cila është pjesë e Partisë Popullore të Austrisë, që udhëhiqet nga kancelari i deritanishëm Sebasatian Kurz, beson se do të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën këtë të diel.

“Shqiptarët në Austri, fatkeqësisht, janë komuniteti që më së paku del në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se nuk përkrahim njëri – tjetrin, nuk mund të forcohemi si komunitet. Ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për ta ndryshuar gjendjen dhe për t’i kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë Cacaj.

Një tjetër shqiptare, Ina Rexhepi, është kandidate për deputete nga po e njëjta parti. Ajo kërkoi nga shqiptarët që të votojnë pasi, sipas saj, me votën e tyre do të ndryshojë pozitivisht gjendja e tyre, raporton KTV.

36-vjeçarja Rexhepi është nga Prizreni dhe bashkë me familjen e saj udhëheqin një kompani të suksesshme të dizajnit në shtetin austriak. Në Parlamentin austriak mund ta ketë një ulëse edhe Serafina Demaku.

Demaku, vetëm 23-vjeçare, me prejardhje nga Drenasi, ka qenë e angazhuar në organizata joqeveritare për çështjen e imigrimit.

Kandidatet shqiptare, gjatë së dielës, u bënë thirrje shqiptarëve në Austri që ta shfrytëzojnë të drejtën dhe t’i votojnë kandidatët shqiptarë, në mënyrë që të jenë zëri i shqiptarëve në Parlamentin austriak.