Arbëri

Sa më afër ditës së votimit për demarkacionin aq më i madh presioni mbi deputetët

Derisa faktori ndërkombëtar gjithë barrën për demarkacionin ia ka hedhur Kuvendit të Kosovës, kreu i legjislativit thotë se po e presin vetëm qeverinë që këtë marrëveshje ta procedojë në Kuvend.

Kreu i legjislativit të vendit, që është edhe lider i PDK-së, ka kërkuar që kjo të ndodhë sa më shpejt, sepse sipas tij, edhe ashtu Kosova është vonuar në këtë proces.

Pikërisht për këtë çështje, në Prishtinë, të premten e javës që vjen, do të jetë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, që nga shoqëria civile po shihet edhe një presion shtesë.

Driton Selmanaj nga Demokracia Plus thotë se sa më shumë të afrohet dita e seancës për demarkacionin, presioni ndaj deputetëve do të rritet.

Ndryshe, të premten pasdite, Komisioni për matje të territorit do t’i dorëzojë raportin final Qeverisë së Kosovës e kjo e fundit pritet që shpejt ta procedojë në Kuvend versionin fillestar të marrëveshjes për demarkacion të nënshkruar nga Hashim Thaçi në Vjenë në gushtin e 2015-ës.

Opozita vazhdon ta kundërshtojë, duke paralajmëruar edhe protesta. Ngritje tensionesh kanë paralajmëruar edhe banorët e zonave që prekën nga demarkimi i vijës kufitare me Malin e Zi.