Arbëri

Plakja me premtimet e politikanëve

Pleqtë nuk po kanë ku t’i plakin ditët. U mungojnë hapësirat publike për t’i qarë hallet e njëri-tjetrit. Mungesa e objekteve kolektive nëpër qytete e fshatra po i shtrëngon që të takohen nëpër parqe e qoshe rrugëve. Aty e shtrojnë muhabetin. Nëpër hapësira të gjelbra ku ka tavolina e stola, luajnë shah. Më të lehtë e kanë gjatë muajve të verës, kur mund të zënë ndonjë hije. Në vendtakime shndërrohen edhe dyqanet ushqimore. Para tyre ka ndonjë ulëse ose gajbe pijesh që i kthejnë në karrige zori. Herë-herë, mbledhja e tyre varet prej vullnetit të dyqanxhiut.

Në Plemetin, fshat multietnik i Obiliqit, pleqtë qajnë dertet nëpër rrugicat e pluhurosura e të vërshuara me mbeturina. Tymi që vjell prej termocentraleve ua ngufat frymëmarrjen. Gjithkah kombinohen mungesa e dorës së shtetit dhe papërgjegjësia qytetare. Pensionet e ulëta nuk u dalin për ilaçe e nevoja elementare. Ata ndihen të nëpërkëmbur, ngase shtrëngohen t’ua shtrijnë dorën familjarëve edhe për të mbuluar koston e kontrolleve mjekësore e të ilaçeve. Pritjet i kishin të mëdha menjëherë pas luftës. Zhgënjimi iu rrit me kalimin e viteve. Mllefin më të madh e zbrazin ndaj politikës, shkruan Koha Ditore.

“Na e kanë çu tugin”

“Na e kanë çu tugin. Unë nuk kam besu me pasë thanë najkush, na tanë jemi kanë në luftë, jemi mundu me mish e me shpirt me pa një trohë dritë, e këta shit fabrika e maro autostrada”, nxjerr dufin Xhemajl Gashi (71) nga Luzhnica e Suharekës. “Jemi të zhgënjyer, populli është në mjerim”.

“Jetojmë me nekcia”, i ndërhyn bashkëshortja, duke iu referuar injeksioneve.

Ndryshimet e mëdha shoqërore kanë ndikuar me të madhe në mesin e kategorive të ndjeshme shoqërore. Pleqtë thonë se po e përjetojnë më së rëndi. Para luftës, në rajonet më konservatore, pleqtë mblidheshin në kulla e oda. Më rrallë përziheshin me anëtarët e tjerë të familjes, sidomos me gratë e fëmijët, thekson një plak nga rajoni i Deçanit. Në Kaçanik e Han të Elezit, pleqtë e burrat e papunë kalojnë ditët në çajtore të mjegulluara nga tymi i duhanit. Gjithsecili mezi pret të rrëfejë për sfidat me të cilat përballet përditë. Janë të natyrave të ndryshme. Të gjitha lidhen me mungesën e një pensioni të dinjitetshëm. Thonë se janë bërë barrë e familjeve dhe e miqve, megjithëse punuan për dekada me radhë në ndërmarrje shtetërore para se Jugosllavia e Slobodan Milosheviqit t’i largonte nga puna në fillim të viteve nëntëdhjetë. Gjatë vizitave nëpër disa qyteza të Kosovës, shumë prej pensionistëve të intervistuar refuzojnë të flasin publikisht për shkak të zhgënjimit të madh.

Sherri i hatrit

Shemsi Dogani, që merr pension invalidor prej 75 eurosh, mendon se heshtja e pensionistëve u shkon përshtat vetëm pushtetarëve. “75 euro është lëmoshë. Term tjetër nuk ka se lëmoshë është”, thekson Dogani me të nisur intervistën. “Ai ka qejf me fol”, e ndërpret një burrë mustaqezi në tavolinën përballë, duke kërkuar kërcënueshëm që të mos fotografohet e xhirohet. “Mos e kthe kah unë se jam alergjik”, thekson burri.

“Jo që kam qejf me fol, por nevoja më detyron me fol”, ia kthen Dogani. “Grahi ti, grahi se mu për vete më kap alergjia”, shton burri në tavolinën afër dritares së tarracës së mbyllur në rrugën qendrore të komunës kufitare. Të tjerët qeshen sa për ta relaksuar situatën e sikletshme. Qeshet edhe Dogani, kaçanikasi që ndihet si vendas në Han të Elezit, ku kishte punuar në fabrikën e stiroporit. “Djali banon këtu me familje dhe unë e di veten si vendas si në Han të Elezit, si në Kaçanik, si në çdo qoshe të Kosovës. Gjermanët kështu e kanë; ndihen gjermanë në çdo qoshe të Gjermanisë”, thekson Dogani, përgjigjet e të cilit heshtin muhabetet e tavolinave përreth. Të zhurmshme, para se Doganit t’i vendosej mikrofoni në këmishë. Ka probleme kronike me frymëmarrje. “Mushkëritë më çalojnë”, shton kaçanikasi, duke kërkuar mirëkuptim që duhet të flasë përmbledhtas, meqë pas dhjetë minutash duhet të dalë te stacioni i autobusëve për t’u kthyer në shtëpi.

“Unë personalisht jetoj prej një pensioni invalidor, sepse nuk ka lidhje që unë kam punuar tridhjetë vjet”, thotë me pezëm Dogani. “Falë Zotit i kam tre djem dhe mund t’i realizoj të gjitha nevojat që i kam. Po të mos ishin djemtë do të kisha mbetur në mëshirën e askujt”, shton ai, duke bërë të ditur se prej 1 janarit të vitit të ardhshëm do të marrë pension të rregullt të moshës. Kosova u ndan nga 90 euro në muaj atyre që mbushin 65 vjeç dhe nuk kanë përvojë të dokumentuar pune. Shuma e pensionistëve kontributdhënësve varet prej përvojës së tyre të njohur nga autoritetet qendrore. Dogani dhe shokët thonë se politika vazhdon ta dominojë muhabetin të shoqëruar me çaj. Çaji, 10 centë. Nganjëherë pa asnjë cent. Qeraset “prej shpisë”, e konfirmon edhe pronari me tabaka në duar. Avull del prej gotave. Muhabeti fjollë.

“Muhabetin e dominojnë papunësia e madhe, hajnia, korrupsioni, politika e gabuar, të gjitha këto na mundojnë të gjithëve pa dallim. Fatkeqësisht edhe kur ulemi dhe bisedojmë me njerëz, me i kajtë hallet e dertet”, thotë burri ekspresiv. Është goxha i sertë në vlerësime kur pyetet për përgjegjësinë e politikanëve.

“Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e politikanëve e kanë një politikë, që nëse mund të them, është edhe antikombëtare, për hesapin tem, llogarinë time”, thotë ai. Më tej e zbërthen kuptimin që për të ka fjala patriot.

“Dhe më vret shumë kur i dëgjoj se janë patriota. Patriot është dikush që ka dhanë gjithçka për popull, edhe jetën. E dikush që ka marrë gjithçka prej popullit dhe kurrgjë nuk i ka dhanë, s’ka lidhje me patriotizëm. Fatkeqësisht të tillë janë shumica, me përjashtime se nuk i shti krejt në këtë ren, shumica punojnë për interesa personale”. Dogani ka jetuar në Gjermani, por kurrkund nuk ndihet rehat si në vendlindje, pavarësisht njëmijenjë probleme shoqërore.

Disa djem e vajza shpërndajnë broshura të një universiteti privat. Pleqtë në çajtore mendojnë se janë vullnetarë të partive politike.

“Fatkeqësia më e madhe qëndron te ky popull kur vota jepet për hatër e nuk jepet për bindje. Unë personalisht e jap vetëm kur bindem, por fatkeqësisht ata që e meritojnë nuk kanë hapësirë me vepru, janë të kufizuar”, thotë Dogani. Vazhdon të rrokë vëmendjen e myshterinjve në tavolinat në tarracë e brenda çajtores. Shumica pensionistë të parakohshëm pas mbylljes e privatizimit të fabrikave të rrethinës.

Skemat e pensioneve

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës më 2018 për skemat pensionale tregojnë se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 126 888 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 45 391 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 4 031 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 101 përfitues; nga skema për pensionet e “Trepçës” janë 2 950 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 817 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 482 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 2 021 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 998 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 986 përfitues.

Ali Rexha treanëtarësh jeton me 75 eurot e pensionit invalidor. Ka probleme me zemër. Me shitjen e manave e thanave mundohet t’ia lehtësojë të bijës shkollimin e mesëm në Kaçanik. Ajo dhe gruaja e kanë ndihmuar për t’i mbushur tri kovat me thana nëpër fshatrat malore Ivajë e Strazhë. Një euro e gjysmë i ka kushtuar transporti nga Ivaja e Kaçanikut deri në Han të Elezit. “A qaq më është një kille thana. Dy kille duhet m’i shit veç për me nxjerr rrugën”, thekson Rexha. Edhe dy orë pas vendosjes së kovave në trotuarin afër komunës, Rexha thotë se nuk e ka rrokur në duar kandarin. Shumica e kalimtarëve e njohin. Një i ri e vë në siklet kur, teksa kalon, e lë në gjysmë një shprehje të nënkuptueshme popullore. Fyese. “Kush ha thana ...”, thekson mjekroshi në fillim të njëzetave, njëherësh qeshet e vazhdon teposhtë rrugës që zgjatet deri te stacioni i trenit. Rexha skuqet. “E kallxoi veten”, thekson një burrë në shenjë solidarizimi.

Rexha thotë se inspektorët lokalë tregojnë mirëkuptim për gjendjen e tij.Kurrë s’e kanë gjobitur si shitës ambulant. “Edhe kur dalin, më thonë largohu pak se këtu para komunës, po unë po ulna këtu se puna e hijes se jam me terapi”, tregon ai. “Kam telashe me gjoks. Nuk ma duron dielli fort. Jam me terapi. Terapia shkon deri në 40 a 50 euro. Po ballafaqohem disi”.

Rexha është fjalëpakë e i drejtpërdrejtë, duke i kërkuar ekipit të gazetës dhe televizionit që të largohet, meqë mund të ketë myshterinj të mundshëm që nuk duan të xhirohen.

“Nëse s’ki pare, s’ki ku del”

Kritika ndaj medieve ka Gashi nga Luzhnica në Suharekë. “Dilni edhe nëpër katune me pa qysh po jetohet e jo veç në qytet”, thotë plaku. Ai dhe plaka jetojnë vetëm. Tre djemtë me familje u jetojnë në shtetet perëndimore. Ata e ndihmojnë financiarisht. Gashi merr pension prej 185 eurosh për 24 vjet përvoje pune në ndërmarrjen “Ballkani”, tani e privatizuar. Thotë se ende nuk u është dhënë hiseja nga përqindja e privatizimit që u ndahet punëtorëve.

“Kemi shpresë se do të na i japin, por zor se krejt shkon me dallavere, me rrena”, thekson Gashi, cili krahason gjendjen e punëtorëve të sipërmarrjeve publike në kohën e ish-Jugosllavisë. “Çfarë rrogash, çfarë të ardhurash kemi pasë. Unë e di qysh janë kthy xhinja prej Perëndimi, Zvicre e Gjermanie e kanë hy në Ballkan, e kanë lanë Perëndimin. E sot punëtori a mun i merr dyqind euro a jo”, thekson ai. Thotë se pleqtë pos mungesës së kujdesit shtetëror për ta, po mbesin edhe pa kujdesin e fëmijëve për shkak të largimit të familjeve të reja në shtetet evropiane. “Kemi mbetë shumë pak njerëz, veç do pleq. Ka mbet fshati për mjerim”.

Fikall vetëm jeton Isuf Muhaxheri, 92 vjeç, në një banesë dydhomëshe në katin e gjashtë në Kaçanik. Kohën e kalon nëpër çajtoret te çarshia e vjetër. “Nëse nuk ki pare, s’ki ku del”, thekson Muhaxheri në parkun e qytetit brigjeve të lumit Nerodime, që kundërmon prej kanalizimeve.

“Vallahi u prish dyjaja, po shihemi kaniher sokaqeve se s’po shkojmë tash te njani-tjetri”, thotë Hakif Mustafa, 61 vjeç, në Plemetinin multietnik të Obiliqit. Arat e livadhet përreth shtëpive janë vërshuar nga mbeturinat. Qielli mjegull prej tymit të termocentrale që vjellin helm. “Nuk ka asnjë vend ku me nejtë, as ni klub, as kurrgja”. Romi i papunë është më i rezervuar kur pyetet për rolin e politikës për krijimin e kushteve për mungesën e kushteve për jetën komunitare.

Gashi ndërkaq i ka çuar duart nga politikanët fjalëshumë. “Këto parti politike veç tu na rrejtë, tu na shantazhu, premtime japin, punë s’kryejnë”, thotë ai. “Fol sa dush se kejt në vesh t’shurdhët. Xhepat e vet i kanë mushë, kacat e veta i kanë mushë, kejt po, a që me thanë për popull, asnjë trohë s’kanë punu”.