Arbëri

Dëmet që kriza politike ia shkaktoi ekonomisë

Situata jostabile politike që e ka përcjellë Kosovën për vite me radhë, konsiderohet t’i ketë shkaktuar dëme të mëdha e të pariparueshme ekonomisë së vendit.

Nga e gjithë kjo situatë e brishtë politike, ekonomia dhe projektet kapitale që vlerësoheshin se do ta rimëkëmbnin ekonominë e vendit, mbeten të papërfunduara, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.

Mospërfundimi i mandatit kushtetues katërvjeçar i pothuajse asnjë legjislature në Kosovë, bëri që shumë projekte kapitale të ndërpriten, si dhe të mos realizohen programet qeveritare në fushën e ekonomisë.

Në zgjedhje të parakohshme parlamentare Kosova do të shkojë edhe në qershor të këtij viti, pasi që mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, i ngritur nga partitë opozitare, u votua nga shumica e deputeteve ditë më parë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve flasin për një numër të konsiderueshëm të projekteve, të cilat dështuan nga e gjithë kjo situatë politike.

Projekti më kapital që nuk arriti të realizohet për shkak të mandateve të ndërprera, por edhe ndryshimeve që i pësonte vit pas viti, është Termocentrali “Kosova e re”, pasuar nga shumë projekte të tjera.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë flet për humbje të mëdha që kriza politike i shkaktoi ekonomisë së vendit.

“A do koment tjetër kur dihet që nga pas lufta termocentrali “Kosova e re”, vetëm emrin e ka ndërruar dhe nuk është realizuar, a do koment tjetër çfarë është procesi i privatizimit, çfarë është duke ndodhur me kompanitë e mëdha për t’u privatizuar, çfarë është duke ndodhur me Brezovicën, dhe kush e qan hallin se çfarë do të bëhet me Trepçën dhe si do të jetë Trepça dhe e tërë ajo pasuri në funksion të zhvillimit?”.

“Kur krejt kësaj i shtohet fakti që shumë procese janë duke u politizuar më tepër sesa duke u ekonomizuar, vërtet e bënë Kosovën një shtet që do ta ketë shumë të vështirë të rimëkëmbet në aspektin ekonomik”, thekson Gërxhaliu.

Ndërprerja e mandateve ndikon dëmshëm në ecuritë makro-ekonomike

Stabiliteti politik, në anën tjetër, nga ekspertë të fushës së ekonomisë konsiderohet si një nga faktorët kryesorë për qëndrueshmëri ekonomike, inkurajimin e vendeve të reja të punës dhe rritje permanente të Bruto-Produktit të Brendshëm (BPB).

Por, jostabiliteti politik, i cili për vite me radhë e ka përcjell Kosovën, sipas ekspertit të ekonomisë, Naim Gashi, është një sinjal dekurajues mbi të gjitha për investitorët e jashtëm.

Zgjedhjet e parakohshme, shton Gashi për Radion Evropa e Lirë, po u bëjnë dëm ecurive makro ekonomike.

“Si shembull mund ta marrim vitin 2014 kur Kosova kishte krizë politike dhe në fakt ishte viti me rritjen më të ulët ekonomike gjatë dekadës së fundit, me vetëm 1.2 për qind rritje ekonomike, kurse vitin e kaluar e kishim 4 për qind”.

“Ky është një fakt i pamohueshëm se zgjedhjet e njëpasnjëshme, përplasjet politike në mes pozitës dhe opozitës, po dërgojnë sinjale dekurajuese tek investitorët e jashtëm dhe po neglizhojnë fillimin e projekteve të mëdha, siç ishte Brezovcia, kontraktimi për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’,dhe kështu me radhë”, vlerëson Gashi.

Në vitin 2014, kur Kosova ishte në krizë politike, investimet e huaja në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk kanë qenë më shumë se 151 milionë, por, të cilat shënuan ngritje një vit pas, në 320 milionë euro.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e re”,i cili kishte filluar të përgatitet si projekt që nga viti 2005, nuk arriti të realizohet për shkak të këtyre ngjarjeve që ndodhin në skenën politike.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi, thotë se projektet e mëdha strategjike si termocentrali është e pamundur të fillojnë dhe të përfundojnë brenda një mandati qeverisës, por ato si projekte duhet të vazhdohen dhe të zhvillohen.

“Në skenën politike duhet të krijohet një kulturë demokratike e të bërit opozitë, për arsye se opozita në asnjë formë nuk duhet të jetë pengesë për zbatimin e projekteve madhore. Përkundrazi, duhet të jetë përkrahëse e projekteve të mëdha, për shkak se asnjë mandat qeverisës nuk mund t’i fillojë dhe përfundojë projektet e mëdha që gjenerojnë zhvillim afatgjatë për një ekonomi nacionale”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, për njohësin e rrethanave ekonomike në Kosovë Ismail Kastrati, dëmet më të mëdha që po i bëhen ekonomisë së Kosovës vijnë nga niveli i lartë i korrupsionit dhe mosfunksionimi i mirëfilltë i drejtësisë.

“Zgjedhjet janë një procedurë demokratike dhe kjo nuk ka ndikim të madh , ndikimet janë në forma tjera si korrupsioni, krimi ekonomik, mosfunksionimi i drejtësisë, aspekti i sigurisë, përndryshe zgjedhjet në shoqëri demokratike mund të bëhen brenda katër viteve apo më shpejt, me rëndësi zgjedhjet të shkojnë mirë, të mos ketë trazira dhe të jenë fer”, thekson Kastrati.

Ngjashëm, mendon edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që me këtë qeveri çfarë ka qenë deri më tani, humbjet do të ishin më të mëdha sesa mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

“Kostot oportune që kishin mund të realizohen nuk janë realizuar dhe kjo tregon se kjo kosto e zgjedhjeve të parakohshme është e vogël karshi ndryshimeve. Kosova nuk mund të mbetet pezull para këtyre proceseve. Nuk i përkrah proceset që nuk kanë rezon. Përndryshe, nëse shikohet nga rezoni i kostos, qoftë i kostos në aspektin ekonomik, asnjë vendim apo ligj nuk është aprovuar që mund të reflektojë pozitivishtnë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson ai.

Por, për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safer Gërxhaliu, Kosova nuk ka, siç e quan ai, ‘luks’ të mbajë zgjedhje kaq të shpeshta.

“Vetëm në vitin 2017 Kosova do të ballafaqohet me dy parë zgjedhje, ato të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet komunale. A nuk është një luks që Kosova nuk e ka? Jemi këtu ku jemi dhe për këtë arsye brenga është e dimensionit ekonomik. Dua të besoj që kushdo që të fitojë zgjedhjet dhe udhëheqjen e Kosovës, prioritet të prioriteteve ta ketë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, këto zgjedhje të parakohshme, pos dëmeve të mëdha që po i bëjnë ekonomisë së vendit, kanë edhe një kosto të lartë financiare. Sipas llogaritjeve, vlerësohet se për një palë zgjedhje parlamentare në Kosovë, buxheti shpenzon deri në 10 milionë euro.