Arbëri

Bytyqi presion Akreditimit për shtimin e studentëve në Mjekësi

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është duke insistuar që të aprovohet vendimi i tij i muajit korrik për shtimin e numrit të studentëve në drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri në Fakultetin e Mjekësisë.

Në Agjencinë e Kosovës për Akreditim e kanë pranuar se Bytyqi është duke i bërë presion Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim) që të aprovohet kërkesa e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Udhëzimit Administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, Agjencia për Akreditim është agjenci e pavarur dhe misioni i saj kryesor është vlerësimi dhe akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe i programeve të tyre të studimit. Vendimet për shtimin ose jo të numrit të studentëve merren nga Bordi i kësaj agjencie.

Muaj më parë Fakulteti i Mjekësisë kishte bërë kërkesë në Senat që të shtohet numri i studentëve në këtë fakultet. Pas kësaj, ministri Bytyqi kishte nxjerrë vendim që të shtohet numri i studentëve në drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri. Ky vendim parashihte që në Degën Mjekësi e Përgjithshme të rritej numri i studentëve për 75, derisa në Degën Infermieri të shtohen edhe 59 studentë të rinj.

Kjo kërkesë ishte hedhur poshtë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore që të shtohet numri i studentëve përderisa nuk ka vendim të ekspertëve ndërkombëtarë.

Ministri në largim i MASHT-it, javën e kaluar, gjatë një takimi me Këshillin Drejtues të UP-së dhe me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, ka kërkuar që vendimi i tij të aprovohet. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)