Arbëri

Për shtatë muaj mbi 200 raste të reja me kancer të gjirit

Numri i personave të prekur me kancer në Kosovë ka shënuar rritje. Në Klinikën e Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë lajmëruar 912 raste me kancer.

Kurse në vitin paraprak, për të njëjtën periudhë kohore, kanë qenë të lajmëruara 830 raste. Sipas këtyre statistikave, tek gratë dominon kanceri i gjirit, kurse tek burrat kanceri në mushkëri.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka treguar për Kohën Ditore se këtë vit sëmundja e kancerit në Kosovë ka shënuar rritje prej tri për qind. Ka thënë se janë evidentuar 211 raste të prekura nga kanceri i gjirit këtë vit, kurse për të njëjtën periudhë në vitin paraprak kanë qenë të lajmëruara 167 raste.

“Nga këto statistika mendojmë që numri i femrave të prekura me kancer të gjirit në vitin 2019 të mos e kalojë shifrën mbi 400”, ka thënë ai.

Sipas tij, në vendet fqinje sëmundja e kancerit të gjirit po shënon çdoherë e më shumë rritje.

“Maqedonia për të njëjtën popullatë ka rreth 700 femra të sëmura nga kanceri i gjirit, njëjtë qëndron Shqipëria. Ndërkaq, Mali i Zi regjistron 550 raste të femrave me kancer të gjirit”, ka deklaruar Kurtishi.

Ai ka treguar se cilët janë faktorët që ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve malinje. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)