Arbëri

Mbahet takimi i radhës i Grupit për monitorimin e Marrëveshjes Stand-By me FMN-në

Prishtinë, 23 shkurt - Në Ministrinë e Financave është mbajtur sot takimi i radhës i Grupit për monitorimin dhe implementimin e veprimeve, të parapara me Marrëveshjen Stand-By me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në këtë takim morën pjesë zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për implementimin e marrëveshjes Stand-By me FMN.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit nga institucionet raportuan për përmbushjen e obligimeve të përcaktuara me këtë Marrëveshje, si dhe u diskutua për progresin dhe hapat e ardhshëm drejt implementimit të plotë të Marrëveshjes.