Arbëri

Dorëhiqet Kuçi: Nisma përbuz mundin e angazhimin, nuk jam më pjesë e saj

Ish zv/ministri i Shëndetësisë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Muharrem Kuçi, ka dhënë dorëheqja nga kjo parti.

Kuçi, nëpërmes një postimi në rrjetet sociale, ka treguar se ka dhënë dorëheqje nga Nisma në shenjë pakënaqësie me zhvillimet në atë parti.

Siç është shprehur ai, kjo parti përbuz mundin e angazhimin e njerëzve të përkushtuar ndërsa nuk i përfill profesionistët, por ndjek agjendat personale.

Në postimin e tij, ai ndër të tjera shkruan se "Angazhimin tim në themelimin e subjektit Nisma për Kosovën e pranova përkundër obligimeve të shumta profesionale si i punësuar në një klinikë me renome në Zvicër (Hirslanden Klinik) dhe me një përvoje 25 vjeçare, i bindur shumë që iniciatorët për formimin e këtij subjekti të ri e kishin me gjithë mend një politikëbërje ndryshe.
Në zgjedhjet e para ne 2014 arritëm të bëhemi parti parlamentare ku në vazhdim luajtëm një rol shumë pozitiv opozitar.
Në zgjedhjet parlamentare më 2017 në qeverinë e dalë nga këto zgjedhje unë pranove postin e zv. ministrit të Shëndetësisë i bindur që subjekti Nisma dhe koalicioni qeverisë në përgjithësi do ta kenë prioritet edhe shëndetësinë ku unë isha i bindur se do të ndihmoja në implementimin e shumë reformave në shëndetësi, pasi përvoja ime në këtë fushë shkonte në dobi të këtyre reformave.

Në shenjë pakënaqësie dhe zhgënjimit për zhvillimet destruktive në qeveri dhe në Nisma si edhe mungesën e seriozitetit në shtyrjen përpara të këtyre reformave në shëndetësi , si i vetmi zv.ministër dhashë dorëheqje të parevokuseshme në gusht 2018!

Meqë jemi në prag të fushatës për zgjedhjet e parakohshme dhe vazhdimisht po marrë shumë thirrje dhe pyetje në lidhje me kandidimin tim për deputet nga Nisma Socialdemokrate, e ndiej të nevojshme t'ju informoj se as nuk jam kandidat dhe as nuk do të mbështes më një subjekt si Nisma Socialdemokrate që përbuz mundin dhe angazhimin e njerëzve të përkushtuar për subjektin". Ai sqaron se dorëheqjen dhe largimin nga subjekti Nisma Socialdemakrate "ku unë dhashë një kontribut për t'u bërë subjekt i vlerave dhe i vendimeve të drejta në të mirë të vendit e jo pjesë e abuzimit me aktivitetin e njerëzve të mirë dhe aktivistëve të pandalshëm.
Ky abuzim mori përmasa shqetësuese sidomos pas bërjes pjesë e pushtetit ku u harruan njerëz meritorë dhe përfituan ata jomeritor!", shkruan ndër të tjera Muharrem Kuçi, në letrën e dorëheqjes së tij nga Nisma Socialdemokrate.