Arbëri

GERMIN kërkon nga KQZ-ja që diaspora të mos ketë problem në votim si në zgjedhjet e kaluara

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, organizata jo-qeveritare GERMIN, i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mundësuar dhe lehtësuar procesin e votimin për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Duke vlerësuar lart kontributin dhe rolin e diasporës në të gjitha proceset politike dhe shoqërore në Kosovë përgjatë periudhave të ndryshme, institucionet tona shtetërore, veçanërisht KQZ-ja, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që të lehtësojë procesin e votimit për pjesëtarët e diasporës në mënyrë që atyre t’u mundësohet ushtrimi i një të drejte themelore që ua garanton kushtetuta dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Konsiderojmë që pjesëmarrja e diasporës në vendimmarje përmes votës është shumë e rëndësishme për shkak se, ndër të tjera, ndikon në rritjen e legjitimitetit demokratik të të zgjedhurve duke pasur parasysh se janë mbi 350 mijë qytetarë me të drejtë vote që aktualisht jetojnë jashtë vendit”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Prandaj, GERMIN-i kërkon që KQZ-ja të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të evituar problemet e shfaqura në zgjedhjet e kaluara si: mungesa e shpërndarjes së informacionit të nevojshëm dhe në kohë për procesin e regjistrimit dhe votimit nga jashtë; mos-përgjigjja në kohë nga ana e KQZ-së ndaj kërkesave për informacion rreth votimit nga pjesëtarët e diasporës; problemet teknike dhe bllokimi i postës elektronike zyrtare të KQZ-së gjatë procesit të regjistrimit dhe votimit etj.

Me qëllim të rritjes së numrit të votuesve nga jashtë, GERMIN thotë se ka ofruar mbështetje të plotë për KQZ-në për të përmirësuar procesin e votimit nga jashtë, dhe do të zhvillojnë një fushatë intensive për informimin e bashkëatdhetarëve rreth procesit të votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

“Diaspora është pjesë e atdheut, prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që t’ia mundësojmë ushtrimin e të drejtës së votës, dhe rrjedhimisht pjesëmarrjes në vendimmarrje për të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në komunikatë.