Arbëri

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së sot voton për Vjosa Osmanin, Mustafa pret përkrahje të gjerë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se sot në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vendoset që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për kryeministre të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se, dje në mbledhjen e Kryesisë ajo mori plotë.

Mustafa thotë se Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë.

“E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze”, ka shkruar ai, transmeton Koha.net.

Ai thotë se Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë, shton se ishte, poashtu, Lutfi Haziri, tani kryetar i Gjilanit i cili më herët ishte edhe zëvendëskryeministër e deputet.

“Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës.

Mustafa thotë se përkrahjen e sigurt e pret sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e nesër, nga qytetarët e Kosovës.

“Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare”, ka shkruar ai.