Arbëri

VV kërkon reagim ndërkombëtar kundër sulmeve ndaj shqiptarëve në Serbi

Akt barbarie anti-shqiptare e ka cilësuar Vetëvendosje sulmin që iu bë autobusit me kosovarë të shtunën në mbrëmje në Serbi.

“Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova, që shkonin drejt vendeve të BE-së”, ka thënë kjo parti në një reagim pas këtij sulmi.

Vetëvendosje ka thënë se duhet një përpjekje ndërkombëtare për të “defashistizuar politikën e Serbisë dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste”.

Sulmohet një autobus me kosovarë në Serbi, reagon MPJ

“Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Kjo parti ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për “joseriozitet”. Ka thënë se institucionet duhet të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë dhe të ngrenë këtë çështje në nivel ndërkombëtar.

“Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t'i marrin. Lëvizja Vetëvendosje e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët”, thuhet më tej në reagim.