Arbëri

Kushtetuesja i kërkon Komisionit për Legjislacion komente rreth Ligjit për Kundërvajtje

Komisioni për Legjislacion ka miratuar pa vërejtje raportin me amendamente të Komisionit funksional në Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Amendamentet janë miratuar në pako, pa ndonjë vërejtje dhe kundërshtim.

Anëtarët e Komisionit po ashtu u njoftuan edhe me një shkresë të dërguar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka kërkuar komente nga Komisioni rreth Ligjit për Kundërvajtje, pas dërgimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Deputeti Armend Zemaj, anëtar i këtij Komisioni, tha se ky ligj është një ndër ligjet që më së shumti iu ka nënshtruar debatit edhe brenda Komisionit edhe debatit publik.

Sipas Zemajt, çështjet që janë adresuar kanë qenë edhe një moskoordinim edhe nga ata vetë që e kanë kërkuar, zyra e Avokatit të Popullit.

“Ne jemi fokusuar që në tërësi ka pas të bëjë me një reformim të fushës së kundërvajtjes në Kosovë, qëllimi sigurisht ka qenë rritja e efikasitetit dhe efektivitetit në shqiptimin apo zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me kundërvajtje. Normat e reja që janë futur kanë për qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë në vend, të avancohet kjo fusha e kundërvajtjes e mbi të gjitha edhe ndarja e përgjegjësive të jetë në mënyrë ekzakte sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por edhe praktikave më të mira të vendeve evropiane”, theksoi Zemaj.

Ai më tutje shtoi se asnjë vërejtje nuk e kanë pasur, as nga komisionet as nga Zyra e Presidentit dhe sipas tyre ka qenë gjithçka në harmoni me Kushtetutën. Mirëpo, ai tha se do t’i marrin parasysh shqetësimet e ngritura nga Avokati i Popullit.

“Mbi të gjitha Projektligji i ka kaluar të gjitha fazat, qoftë për mendimin për anën e të drejtave të komuniteteve, qoftë atë të kushtetutshmërisë. Janë disa shqetësime të cilat i ka ngritur Zyra e Avokatit të Popullit dhe ne do t’i trajtojmë. Edhe grupi punues shumë shkurt do ta kthejë një përgjigje për Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Në këtë mbledhje Komisioni formoi edhe dy grupe punuese, njërin për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, dhe tjetri për shqyrtimin e Projektligjit për ndërmjetësim.