Arbëri

AAK-ja e PSD-ja paralajmërojnë zgjerimin e koalicionit parazgjedhor, s'ka PAN 2

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, synon postin e kryeministrit, edhe pse, nga i njëjti, ka dhënë dorëheqje javë më parë. Kësaj here, si bartës i listës së koalicionit me PSD-në.

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD, është zyrtarizuar gjatë ditës, pas miratimit në këshillat drejtues të dy partive.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti, u shprehën të bindur se ky koalicion do të jetë fitues në zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të shtatorit ose në javën e parë të tetorit.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ndonëse nuk ka shpalosur detaje nga marrëveshja, ka thënë se numri i kandidatëve për deputet nga partia e tij, nuk do të jetë i vogël.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim edhe me partitë e tjera, por jo edhe me PDK-në.

Koalicioni PSD-AAK është koalicioni i parë parazgjedhor, në prag të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, në rast se deputetët votojnë për shpërndarjen e Kuvendit këtë të enjte.