Arbëri

Qeveria e Mustafës premton se do të respektojë marrëveshjen për kategorizimin e veteranëve

Këtë muaj, themelohet Komisioni për Verifikimin e veteranëve të luftës.

Ministri i Punës në dorëheqje, Arban Abrashi, ka konfirmuar për KTV-në se do të përfundojnë të gjitha procedurat e themelimit të këtij komisionit brenda pak kohësh.

Ai ka thënë se ligji që tashmë është në fuqi do të implementohet dhe se qeveria do ta themelojë komisionin para se të dorëzojë mandatin, e pastaj i mbetet komisionit të vazhdojë punën tutje.

Ndryshe, implementimi i këtij ligji është parakushti kryesor që FMN-ja të mos e prish marrëveshjen me qeverinë për përmbylljen e programit të Fondit me Kosovën në vlerë prej 100 milionë eurosh.

Në një prononcim të mëhershëm për KTV-në, përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, e po ashtu edhe ministri i Financave, patën deklaruar se pavarësisht nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme apo jo, kushtet nuk ndryshojnë për qeverinë e ardhshme.

Ky ligj që ka marrë dekretin e presidentit 1 muaj më parë, saktësisht më 11 prill, pritet t’i kursejë buxhetit të Kosovës miliona euro.

Ligji zvogëlon për 50 euro pensionin për kategorinë e tretë, në të cilën përfshihen shumica e veteranëve, që kap periudhën e mobilizimit gjithëpopullor në luftë pas datës 31 mars 1999.

Kategoria e dytë apo atyre që nuk do t’u prekët pensioni janë të angazhuarit në luftë pas datës 5 mars 1998 dhe që ishin aktivë deri në ditën e përfundimit të luftës.

E rritje do të kenë vetëm ata që njihen si krerët e luftës apo të angazhuarit nga viti 1991 deri më 5 mars 1998, dhe që thuhet se kanë qenë aktivë deri në ditën e fundit të luftës.

Në ligjin e Buxhetit për 2017-ën, qeveria ka vënë si kufizim shumën prej 38 milionësh për këtë kategori.


Sidoqoftë, kryeministri në dorëheqje, Isa Mustafa, nisjen e shpërndarjes së pensioneve për veteranët e luftës e ka renditur si njërin ndër sukseset e tij gjatë mandatit qeverisës.


Me gjithë meritat për dhënien e pensioneve veteranëve, Qeveria Mustafa u ka mbetur borxh veteranëve disa pensione, pasi nuk i morën në mënyrë retroaktive, siç iu pat premtuar.