Arbëri

Haradinaj: Sinqeriteti im me ndërkombëtarët mundësoi krijimin e Ushtrisë e ndalimin e copëtimit të Kosovës, servilëve udha e mbarë

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, pa përmendur emra, u ka dërguar një mesazh “servilëve”, derisa thekson se për të dhe partinë e tij AAK-në, miqësia me miqtë ndërkombëtarë është shumë e shenjtë.

“Udha e mbarë” u thotë, derisa shton se ai dhe AAK-ja, me sinqeritet e jo servilizim, kanë arritur të ndalin copëtimin e Kosovës.

“Miqësia me aleatët perëndimor, për mua dhe AAK-në është e përhershme dhe e shenjtë. Raportet tona me partnerët kanë për bazë sinqeritetin, jo servilizmin. Falë një marrëdhënie të këtillë, Kosovës iu besua krijimi i Ushtrisë, u ndalua copëtimi i Kosovës, u finalizua pronësia mbi Trepçën 100 % Kosovës, si dhe tema të tjera. Servilëve, udha e mbarë!”, ka shkruar ai.

E një përplasje e tij me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, duket haptas që tashmë ka nisur në Facebook.

Ndonëse emra nuk përmendin, aludimet i shkojnë njëri tjetrit.

Javë më parë Haradinaj në një intervistë në Rubikon, i ka quajtur servilizëm deklaratat e Veselit që i kishte bërë në Washington, prej ku kishte folur edhe për Haradinajn e për veprimet e tij rreth taksës.

E gjatë ditës së djeshme, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pasi u takua me ambasadorin britanik në largim, Ruairi O’Connell, ka thënë se është shumë e rëndësishme që në këto zgjedhje që pritet të mbahen, duhet vendosur se me aleatët ose duhet forcuar marrëdhëniet ose trajtuar si armiq.

“Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t'i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar”, ka shkruar Veseli dje.