Arbëri

KDI-ja bashkë me USAID-in publikon hulumtimin mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), së bashku me aktivitetin e USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse, sot shpalosën të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik, për vitin 2018.

KDI ka publikuar raportin Indeksi i Transparencës në Prokurimin Publik 2018 për Komunat e Kosovës.

Raporti tregon se e arritura më e madhe e vitit 2018 ishte publikimi për herë të parë i kontratave aktuale në platformën e E-prokurimit, raporton Koha Ditore.

Sipas KDI-së, në vitin 2018, Kosova ka shënuar progres te dukshëm në transparencën e prokurimit publik si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal të qeverisë.

Zeinah Salah nga USAID-i, ka thënë se transparenca është e rëndësishme dhe thelbësore për luftimin e korrupsionit për çdo qeveri.

“Raporti i këtij indeksi tregon që arritja më e madhe e 2018 ka qenë publikimi i kontratave në e-prokurim dhe ka pasur rritje për 28 për qind në nivelin komunal”, ka thënë Salah.

Projekti “Indeksi i transparencës në prokurim publik për komunat e Kosovës për 2018” është zhvilluar nga KDI/TIK dhe është mbështetur nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.