Arbëri

Dy persona shpallen në kërkim për kërcënim dhe fyerje të shqiptarëve myslimanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Descriptive Text

Dy të rinj të besimit katolik në Shqipëri janë shpallur në kërkim nga policia e këtij vendi pasi kanë fyer dhe kërcënuar myslimanët shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, duke kërkuar që ata të mos shkojnë me pushime në bregdetin shqiptar.

Kërcënimi është shfaqur përmes një videoje të publikuar nga një portal në Kosovë, ku dëgjohen duke sharë e ofenduar. “… me bo me i pa atje në plazh në Velipojë e në zonat e Shqipërisë, bash si cjapi që ju ka rrjep serbi, e kush ju ka rrjep te tanë, turku, …, do t’ju rrjep për së gjalli”, ka thënë njëri prej radikalëve katolikë i quajtur Luig Marku.

Ndërkohë ndaj kësaj videoje të publikuar nga media në Kosovë ka reaguar menjëherë Policia Shqiptare ku ka bërë identifikimin e këtyre dy personave, duke i shpallur në kërkim policor të martën më 13 gusht, shkruan sot Koha Ditore.

Anton Zefi, 39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe dhe Luigj Marku, 36 vjeç, banues në Kallmet të Lezhës janë personat e shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare.

"Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet. Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të ‘Nxitje e urrejtjes, ose grindjeve’ parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt për të gjithë shtetasit shqiptar, apo të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për t’i kaluar pushimet verore”.

Neni 265 i Kodit Penal parashikon dënime nga 2 deri në dhjetë vjet burgim...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)