Arbëri

Për 3 vjet Këshilli i Etikës së UP-së mori masa ndëshkuese vetëm në 3 raste

Foto: Driton Paçarada / Koha

Vetëm ndaj 3 rasteve prej 49 sa janë raportuar si shkelje në 3 vjetët e fundit, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese.

Prej 49 rasteve, ky këshill, 28 i ka hedhur poshtë, 12 janë ende në procedurë, 2 raste janë kthyer në fakultete përkatëse, 3 janë për kthim në vendin e punës derisa për të tjerat nuk ka ndonjë vendim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Llojet më të shpeshta të shkeljeve të raportuara janë keqpërdorim i pozitës, plagjiat e falsifikim i autorësisë, kontrata të dyfishta, mosrespektim i kontratës së punës, avancime akademike të dyshimta, raste të ngacmimeve seksuale, kërcënimeve dhe incidenteve fizike.

Të dhënat i ka prezantuar të mërkurën organizata “Admovere”, e cila ka reaguar përmes një njoftimi për numrin e vogël të masave ndëshkuese. Sipas kësaj organizate, kjo ndëshkueshmëri nga ana e UP-së është shumë shqetësuese për ta.

Zyrtarë të Rektoratit nuk kanë dashur të përgjigjen në lidhje me ndëshkueshmërinë ndaj rasteve të trajtuara nga Këshilli i Etikës.

Drejtori i organizatës “Admovere”, Shkëlzen Gashi, ka deklaruar për gazetën se numri i vogël i ndëshkimeve i demotivon studentët, pjesëtarët e stafit akademik , drejtuesit e ndryshëm të UP-së, por edhe organizatat joqeveritare, që t’i denoncojnë rastet e shkeljeve të Kodit të Etikës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)