Arbëri

Nishani përgëzon Veselin për “tejkalimin e sfidave”

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në largim, Kadri Veseli, ka pritur sot presidentin e Republikës së Shqipërisë në largim, Bujar Nishani, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president, njofton kumtesa nga Kuvendi, transmeton Koha.net .

Veseli dhe presidenti Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.

Ata theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.

Duke e falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare, gjatë gjithë mandatit të tij, Veseli theksoi përkushtimin e tij për të çuar më tej këto relacione, në të gjitha fushat dhe hapësirat e pashfrytëzuara.

Ai tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.

Bujar Nishani, përgëzoi Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi.

Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.