Arbëri

Veseli i bindur: Zgjedhjet të pashmangshme, më 22 gusht shpërndahet Kuvendi

Descriptive Text

Me rastin e shpërndarjes së certifikatave për të rinjtë e trajnuar në fushën e ndërmarrësisë dhe zhvillim të planeve të biznesit, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Vesli tha se zgjedhjet janë të pashmangshme, ndërsa më 22 gusht Kuvendi shpërndahet.

Siç raporton KsP, i pranishëm me këtë rast ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Veseli tha se janë qytetarët, që përmes vendimmarrjes së tyre mund të forcojnë rininë që të ketë një angazhim edhe më të fuqishëm.

“Jemi në fazën e vendimmarrjes përfundimtare, zgjedhjet janë të pashmangshme. Me 22 gusht, Kuvendi i Republikës të Kosovës do të mblidhet për të shpërndarë Kuvendin. Do t’i hapet perspektivë zgjedhjeve, për arsye se qytetarët e këtij vendi janë ata që duhet të marrin vendim si do të ec Kosova për katër vitet e ardhshme. Një nga arsyet kryesore është se mund të forcohet rinia”, tha Veseli.

Duke folur për projektin e zhvillimit të të rinjve në ndërmarrësi, ai tha se projektet e tilla kanë për qëllim orientimin e buxhetit kah ndërmarrësia dhe integrimin e të rinjve që të marrin përgjegjësitë në zhvillimin e vendit.

Gjatë vitit të ardhshëm, Veseli u shpreh se buxheti për të rinjtë do të trefishohet. Teksa tha se duhet të çrrënjoset korrupsioni dhe nepotizimi, që po ndikon në demotivimin e të rinjve për të jetuar në vend.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se sot po përmbyllet një program i filluar muaj më parë, që ka pasur për synim përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, e që ka rezultuar me më shumë se 200 të rinj të aftë, të përgatitur për tregun e punës.

Ai bëri të ditur se nga ky projekt janë hapur 70 biznese, teksa u shpreh se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë përkrahje dhe mbështetje për të rinjtë.

“Viti 2018 dhe veçanërisht viti 2019 shënon një ritransferim total të departamentit të rinisë, edhe të aspektit legjislativ... Ky vit, është viti i parë i lansimit të programit ‘Fondi rinor’, ka qenë një shumë prej 1 milionë euro, do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesim të rinjtë dhe organizatat rinore të profilizuara në programe, kryesisht në ndërmarrësi”, u shpreh Gashi.

Ndërsa Arbnora Salihu u shpreh e lumtur që sot falë programeve të tilla është bërë ndërmarrëse e re.

“Shpresoj që prej sot kemi me i shfrytëzu të gjithë ne që jemi certifikuar ato certifikata dhe kemi me qenë sa më të suksesshëm”, u shpreh ajo.

Trajnimet për ndërmarrësi janë zhvilluar në 7 qendra në Republikën e Kosovës, e që kanë përfshirë të gjitha komunat./KsP