Arbëri

Sipas Veselit BE po vepron me standarde të dyfishta në lidhje me krimet në Kosovë

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka quajtur akt të turpshëm lirimin e parakohshëm të Miodrag Sholajas, i cili ishte pjesë e njësisë “Akrepat” gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, ky akt demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi.

Veseli në një postimi në Facebook ka kujtuar lirimin e parakohshëm të Sasha Cvjetanit, për të cilin thotë se, edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur.

“Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta”, ka shkruar ai.

Veseli thotë se BE nga njëra anë po i toleron këto veprime duke i dhënë dritën e gjelbër Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, e duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave, ndërkaq nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosovë ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”.

“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal që në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë”, ka shkruar ai.