Arbëri

Ngrihet në heshtje, në Tiranë, memoriali për grusht shtetin në Turqi

Në Tiranë është ngritur një memorial për viktimat e atij që quhet si grusht i shtetit i 15 korrikut 2016 në Turqi.

Lajmi nuk është pasqyruar nga mediat shqiptare dhe nuk ka pasur as njoftime zyrtare. Vendosja e memorialit në Tiranë është bërë i njohur për publikun vetëm pas një marshimi që ndodhi të enjten në Tiranë, që ka nisur nga sheshi “Nënë Tereza” dhe ka vazhduar në kodrat e Liqenit ku është vendosur memoriali. Në këtë aktivitet përveç personelit të Ambasadës turke në Tiranë ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku. Ndërkohë që ndaj këtij akti të paprecedentë nuk ka reaguar askush deri më tani në Shqipëri, raporton Koha.

Nuk dihet se çfarë e lidh Shqipërinë me 15 korrikun 2016 në Turqi. Memoriali është vlerësuar nga zëra të veçuar në Tiranë si një mesazh provokues që herët apo vonë do të minojë atë mirëkuptim njerëzor që ekziston mes dy popujve. “Qeveria shqiptare mund të lante borxhet ndaj Turqisë me një monument të një figure historike, por jo duke kujtuar ngjarje politike që janë çështje e brendshme e Turqisë. Sigurisht që heshtja ndaj këtij lajmi, ndërkohë që në Tiranë edhe Xhamia e Namazgjasë është imponuar si projekt nga Erdogani, është lajmi përmbi lajmin e memorialit”, shkruan portali Respublica.

Vendosja e memorialit për grushtin e shtetit në Turqi, në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ndodh vetëm disa ditë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim jozyrtar me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Takimi u zhvillua në rezidencën verore të presidentit turk në Marmaris. Dhjetë ditë pas kësaj vizite, në Shqipëri ka qenë për një vizitë zyrtare ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, i cili takoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Edhe pse Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk ka bërë të ditur se çfarë është biseduar, mediat turke dhe ato greke kanë pohuar se fokusi i bisedës gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm turk në Tiranë ishte Lëvizja FETO.

Duke folur për agjencinë e lajmeve “Ana”, ministri turk i Punëve të Brendshme është shprehur se nga biseda që ka pasur me Ramën dhe Lleshajn për çështjen e gylenistëve ka mbetur shumë i kënaqur. "Qasja e zotëri kryeministrit, por edhe e ministrit të Brendshëm, për këtë çështje (FETO), me të vërtetë na bëri të lumtur neve si shtet, edhe mua personalisht. Besoj se procesi në luftën kundër organizatës terroriste, qoftë në Shqipëri e qoftë në vendet e tjera, do të rezultojë me sukses në favor të Turqisë. Vendosmëria jonë në këtë luftë qoftë brenda vendit e qoftë jashtë vendit do të vazhdojë ashtu siç ka qenë. U paraqit një qëndrim shumë konstruktiv. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjithë së bashku do të shohim rezultatet e këtij qëndrimi konstruktiv", theksoi Soylu. Më tej ai u shpreh se miqësia që ekziston mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan po ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Turqi.

Sipas tij, përveç bashkëpunimit në çështjen ndaj gylenistëve, do të ketë bashkëpunime dhe në fusha të tjera. "Miqësia të cilën Edi Rama ka krijuar me presidentin tonë Recep Tayyip Erdogan, si dhe bashkëpunimi të cilin e zhvillojnë, shkakton arritjen e një momenti shumë të rëndësishëm qoftë në aspektin e shtetit qoftë në nivel të popujve. U vlerësua edhe çështja e hedhjes së hapave të përbashkëta në luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë edhe FETO-n", tha Suleyman Soylu, duke treguar se në mbledhje janë marrë vendime serioze.

Në konferencën për shtyp të datës 30 korrik në selinë e Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët nëse ka diskutuar me ministrin e Brendshëm të Turqisë në lidhje me luftën e ashtuquajtur ndaj organizatës FETO. Përgjigja e kryeministrit ka qenë shumë e shkurtër, vetëm me tri fjalë: ”Patjetër kemi diskutuar”. Rama dhe Erdogan përtej raporteve zyrtare, ndajnë edhe miqësi me njëri-tjetrin.

Por pas publikimit të këtyre lajmeve, ka reaguar ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi. Ai ka treguar, sipas tij, arsyen se pse presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, kërkon vazhdimisht nga Shqipëria ekstradimin e gylenistëve. Ish-kreu i SHISH-it kërkon me këtë rast që Shqipëria nuk duhet të ndjekë të njëjtën metodë si Kosova, pasi një vend si Shqipëria që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të priret nga ligjet dhe provat dhe jo nga kërkesat e Erdoganit. Sipas Fatos Klosit, një këmbëngulje e tillë e Erdoganit vjen, sepse ky i fundit kërkon të tregojë që askush që ka shkelur ligjet turke, nuk do të shpëtojë dot duke u strehuar jashtë vendit.

Për ish-kreun e SHISH-it, presidenti i Turqisë kërkon të përçojë një mesazh për kundërshtarët e tij. Ai e quajti të tepërt kërkesën e Turqisë për ekstradimin e gylenistëve. Klosi theksoi se gylenistët në Shqipëri kanë kohë që jetojnë dhe aktiviteti i tyre është i mirë-kontrolluar. Duke përmendur rastin e Kosovës, ku u arrestuan dhe u ekstraduan 6 gylenistë, ish-kryetari i SHISH-it u shpreh se nëse turqit do të paraqesin prova për ekstradimin e gylenistëve në Shqipëri, atëherë ky proces duhet të kryhet rast pas rasti dhe jo në bllok si në Kosovë.

Dy vjet më parë falë presionit të europarlamentares evropiane, Monica Macovei, kryetare e delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, është pamundësuar ekstradimi në Turqi i akademikut turk, Muhammed Yasir Aydoğmuş, i arrestuar në portin e Durrësit më 8.10.2017 me akuzën e terrorizmit, ku gjykata e këtij qyteti vendosi gjykimin në gjendje të lirë për shtetasin turk. Tonet e Ankarasë zyrtare janë rritur më shumë pas lirimit nga Gjykata e Durrësit e akademikut turk Muhammed Yasir Aydoğmuş. Shtetasi turk Muhammed Aydogmus ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste ku një gjykatë në Stamboll I ka caktuar masën “arrest me burg” për “pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur”. Bëhet e ditur se Qeveria shqiptare ka marrë kohët e fundit një tjetër kërkesë nga Turqia për të ekstraduar dhjetëra persona dhe mbyllur shkolla, banka e institucione të tjera që financohen nga Fet’hulla Gylen.