Arbëri

Surroi: 30 qershori ilegjitim, Shqipëria s’mund të vazhdojë të jetë i vetmi vend në Evropë që nuk njeh zgjedhjet

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Publicisti dhe politikani i njohur shqiptar, Veton Surroi, duke komentuar krizën politike në Shqipëri thotë se partitë politike e kanë detyrim ndaj qytetarëve për të kapërcyer këtë situatë.

Në një intervistë për RTV Ora, Surroi thotë se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë i vetmi vend në Evropë që në mënyrë ciklike nuk njeh zgjedhjet dhe rezultatin e dalë prej tyre.

Sa i takon procesit zgjedhor të 30 qershorit, Surroi thotë se është ilegjitim pasi nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën.

“Kemi dy çështje madhore. E para që pamë në zgjedhje. Për fat të mirë nuk pati dëgjenerim në dhunë gjatë procesit zgjedhor. Është një proces që e ka kaluar shkallën e legalitetit, sipas qeverisë ka një legalitet. Problemi është se nuk ka legjitimitet, nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitë. Është krijuar një gjendje e transferimit të pushtetit, e shoh më shumë si një tranzicion drejt një pike ku duhet të ketë një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës për formën sesi duhet dalë nga kjo situatë. Ana tjetër është që edhe pushteti, edhe opozita pajtohen se ka nevojë për reformë në këtë vend, i kanë hyrë reformës së gjyqësorit, vettingu. Por ka nevojë edhe për një rikonfirmim të Kushtetutës së vendit dhe sistemit zgjedhor”, ka thënë Surroi.

Ai shprehet se Shqipëria detyrohet të ketë optimizëm dhe se partitë politike u detyrohen qytetarëve të vendit në mënyrë që të dilet nga kriza.

“Nuk mund të jetë Shqipëria i vetmi vend në Evropë që në mënyrë ciklike nuk pranon zgjedhjet dhe rezultatin zgjedhor”, deklaroi Veton Surroi.