Arbëri

Hoxhaj thotë se PDK-ja synon qeveri të vogël dhe efikase

Foto: Koha

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shpalosur planin e partisë së tij për zvogëlimin e numrit të ministrive në Qeverinë e re të Kosovës.

Hoxhaj, përmes rrjetit social Facebook, ka thënë se Kosovës i duhen institucione efikase që kanë në prioritet jetën e përditshme të qytetarit dhe se PDK nuk do të lejojë më qeveri megalomane, por një qeveri më afër qytetarit.

“Në fazën që po hymë, Kosova ka nevojë për avancim të shpejtë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por para kësaj, i duhen institucione efikase e kredibile që do të kenë prioritet jetën e përditshme të qytetarëve. PDK si parti e qendrës së djathtë nuk do të lejojë më qeveri megalomane, por një qeveri më afër qytetarit, një qeveri të vogël dhe efikase”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai ka thënë se kjo mund të arrihet me grupimin e ministrive sipas profilit, por sidomos sipas prioritetit të vendit.

“Kështu që plani i PDK-së për një qeveri të vogël në legjislaturën e ardhshme është që të miratohet Ligji për Qeverinë dhe kështu ta zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e ministrive”, ka përfunduar Enver Hoxhaj.