Arbëri

Kadare i del ne mbrojtje Ambasadores së BE-së në Tiranë

Shkrimtari Ismail Kadare është irrituar me fyerjet që janë botuar në mediat në Shqipëri ndaj Ambasadores së BE-së, diplomates kroate Romana Vlahutin.

Ai i ka dërguar asaj një letër personale përmes së cilës shpreh edhe pikëllimin e tij për këtë ngjarje.

"Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacenueshme" thotë në letrën e tij Kadare.