Arbëri

Institucionet akuzohen se s’po merren siç duhet me dhunën në familje

Pothuajse çdo ditë, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, raportohet për dhunë në familje.

Vetëm gjatë vitit paraprak, në këtë institucion janë raportuar 1,530 raste të dhunës së kësaj natyre, përderisa 1,427 raste janë proceduar në Prokurori.

Në strehimoren e Komunës së Prishtinës, e cila e mbulon edhe disa komuna përreth, kanë kërkuar ndihmë 52 persona të gjinisë femërore, prej tyre edhe fëmijë, e 26 raste janë nga kryeqyteti, raporton KTV.

Drejtoresha e këtij institucioni, Zana Asllani, ka thënë se bazuar në statistika të viteve paraprake, numri i rasteve është në rritje, mirëpo kjo, sipas saj, nuk nënkupton që dhuna është në rritje, por vetëdijesimi për ta raportuar këtë dukuri është më i lartë.

“Sfida më e madhe për këto raste është ri-integrimi i tyre. Pasi nuk kanë pavarësi ekonomike, ato detyrohen të kthehen prapë te dhunuesi. Kemi shumë për të bërë në këtë drejtim, mirëpo duhet të funksionojnë mekanizma të veçantë për t'ua mundësuar vijimin e kurseve profesionale, punësimin dhe pavarësinë ekonomike”, ka thënë Asllani, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Përderisa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se ky dikaster bën vetëm monitorimin e qendrave për punë sociale, të cilat janë në nivel komunal.

Për këtë çështje, Avokati i Popullit u ka dërguar një letër me rekomandime institucioneve që kanë lidhje me trajtimin e dhunës në familje.

Në raport thuhet se përkundër që Kosova ka bërë përparim në krijimin e mekanizmave reagues ndaj rasteve të dhunës në familje, ka ende aspekte që kërkojnë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse, përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën për jetë. Viktimat e kësaj natyre vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme, e sidomos me mosfunksionimin e autoriteteve të krijuara enkas për parandalimin e kësaj dukurie e cila në shumë raste po përfundon me fatalitet.

Në këtë raport specifikohet rasti i 22 prillit në Prishtinë, ku një burrë vrau me armë zjarri gruan e tij dhe gruan e djalit të tij.

Ndër të tjerash, Avokati i Popullit rekomandon edhe Komunën e Prishtinës që të punësojë psikologë në strehimoren e kësaj komune.