Arbëri

Thaçi e Veseli s’merren vesh, i pari do mandatar të ri e i dyti zgjedhje

Si asnjëherë më parë, Kadri Veseli, këtë të premte, i ka thënë Hashim Thaçit JO - dhe atë publikisht.

Lideri i PDK-së dhe koalicionit PAN, e ka refuzuar brenda pak orësh ftesën e presidentit për ta dhënë emrin e një mandatari të ri, për krijimin e qeverisë.

Ish-kryetari i PDK-së, tash President, kishte shkruar paradite se, bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe nenin e saj 95.5, i takonte koalicionit fitues të zgjedhjeve ta ofronte një emër të ri për krijimin e qeverisë.

Kjo do të bënte që të shmangeshin zgjedhjet që partitë po i kërkojnë, e që reaguan menjëherë kundër.

Por, me gjasë, pa ndonjë konsultim me partnerët, vetë Veseli njoftoi pasdite se nuk e ka ndërmend ta çojë asnjë emër të ri dhe se është vullnet i të gjitha subjekteve që vendi të shkojë në zgjedhje.

Për këtë, Veseli ka thirrur mbledhje të kryesisë për të hënën, në mënyrë që të caktohet seanca për shpërbërjen e Kuvendit.

“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër. Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë të pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar”, ka shkruar Veseli.

Por, para përgjigjes së Veselit e pas letrës së Thaçit, partitë në pushtet e opozitë reaguan.

“Këto janë përpëlitjet e fundit të Hashim Thaçit para se të detyrohet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme”, i ka thënë KTV-së shefi i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë kërkuar që të shkohet në zgjedhje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje më 19 korrik, pasi u thirr nga Haga. Që nga ajo ditë, të gjitha partitë politike kanë thënë se vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja.