Arbëri

Gagica: Delegatët e 3 gushtit e kanë në dorën e tyre ndryshimin e domosdoshëm të LDK-së

Foto: Hafiz Gagica / FB

Ish-kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, ka thënë se delegatët e Kuvendit të së shtunës (3 gusht) e kanë në dorën e tyre ndryshimin e domosdoshëm brenda saj.

Përmes një postimi në Facebook, Gagica ka thënë se delegatët nuk duhet t’i duartrokasin të keqes që i ka sjellë shumë dame LDK-së dhe në veçanti shtetit të Kosovës.

“LDK-ja si çdo parti e qendrës së djathtë demokratike evropiane, duhet të çlirohet nga imponimet e jashtme, nga skenarët dhe skenaristët përçarës, duhet të lirohet nga ata që e kanë uzurpue dhe mbajnë peng partinë qe disa vite, nga ata që e kanë vra demokracinë e saj të brendshme, sepse LDK-së i duhet fryma e tolerancës, e ushtrimit të demokracisë parlamentare, ashtu siç i duhet edhe lufta e pa kompromis me ata që e zhvatin shtetin dhe e varfërojnë popullin e Kosovës, duke i vjelë dhe vjedhë pa fije turpi pasuritë e saja natyrore”, ka thënë ai mes tjerash, raporton Koha.net.

Siç thotë ai, Kryetari dhe organet drejtuese të LDK-së do duhej të zgjidheshin në mënyrë demokratike, “e jo në frymën që po zhvillohen mbledhjet e kryesisë së ngushtë me të cilat nuk mund ta kompensojnë kohën e humbur deri tash, ndonëse këto takime po mbahen në frymën jo demokratike, larg opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së”.

“Edhe fushata dhe përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit të -IX-të zgjedhor të LDK-së, të shtunën me 3 gusht 2019, i ngjasonte bukur shumë frymës para mbajtjes së Kuvendit të karrikave me 2006, ngase siç e pamë gjatë zgjedhjeve nëpër degë pati disa rrahje dhe eksese brenda elektoratit. Po ashtu, zhurma dhe spekulimet mediatike gjatë kohës së fushatës zgjedhore si dhe këtyre ditëve, në veçanti në rrjetet sociale, për gjoja kandidimin e disa emrave në LDK për kryetar të partisë, ishte lojë për ta manipulue opinionin përmes enigmës, se kush do jetë ai kandidat i fshehtë i cili do zgjidhet për kryetar të LDK-së, gjithnjë në stilin spekulativ se ky apo ai kandidat do jetë më i favorshëm se tjetri, se ky apo ai kandidat na i paska këto apo ato merita, njëjtë sikur në Kuvendin e kaluar, kur të gjithë kandidatët “enigmatik” u eliminuan në Kuvend, duke mbetur në listë një kandidaturë e vetme, e cila me aklamacion i mori të gjitha votat, njëjtë sikur në sistemin monist-komunist-unitarist”, deklaron ish-kryetari i LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica.

Mirëpo, thotë ai, “LDK-ja të cilën e kemi formue dhe mbajtur me njëmijë pengesa dhe vështirësi, ka nevojë për një udhëheqës politik i cili zgjidhet në Kuvend nga delegatët me shumicë votash, e jo me aklamacion, i cili me punën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar e ka bindur anëtarësinë se e meriton postin e kryetarit, se në vazhdimësi ka ofrue ide kreative për forcimin dhe demokratizimin e partisë, i cili ka dhënë kontribut të madh për zhvillimin dhe ndërtimin sa më të shpejt të shtetit të Kosovës”.

“Pra, delegatët duhet ta zgjedhin një lider që artikulohet qartë dhe pa ekuivoke në dobi të kauzës shtetërore dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Një udhëheqës që është i pa kompromis në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik, i cili është i pa korruptuar dhe i pa inkriminuar në krime të çfarëdo lloji, deri tek aftësitë e duhura profesionale për t’i menaxhuar sa më mirë Programin dhe interesat e partisë që udhëheq”, potencoi Gagica.

Ndër të tjera, ai tha se LDK-ja, bazë vepruese dhe programore duhet ta ketë filozofinë Rugovjane si dhe gjitha vlerat e saja kombëtare, intelektuale dhe politike të themeluesve të saj, dhe jo, siç tha ai, “në emër të tyre të vazhdon me eliminimin e vlerave të saja burimore, e cila i ka kushtuar shumë ngecjes së proceseve në shtet ndërtimin e Kosovës”.